Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se do të udhëtojë të hënën në Londër për t’u takuar me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskiy si dhe me liderët britanikë dhe gjermanë, për të diskutuar situatën në Ukrainë dhe negociatat aktive nën ndërmjetësimin amerikan.

“Do të udhëtoj në Londër të hënën për t’u takuar me Presidentin ukrainas, Kryeministrin britanik dhe Kancelarin gjerman, me qëllim të vlerësimit të situatës dhe të negociatave në vazhdim brenda kornizës së ndërmjetësimit të SHBA-së”, shkroi Macron në platformën X.

“Ukraina mund të llogarisë në përkrahjen tonë të palëkundur. Ky është thelbi i përpjekjeve që kemi ndërmarrë si pjesë e Koalicionit të të Vullnetshmëve”, shtoi ai.

“Ne do t’i vazhdojmë këto përpjekje së bashku me amerikanët për t’i siguruar Ukrainës garanci sigurie, pa të cilat nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë. Sepse ajo që është në rrezik në Ukrainë është edhe siguria e gjithë Evropës”.