Glauk Konjufca, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Vjosa Osmani, po i përdor dy tema për ta kritikuar Vetëvendosjen: Serbinë dhe Amerikën, të cilat, sipas tij, janë të njëjta siç i ka përdorur Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai theksoi se rruga e Osmanit për ta goditur Kurtin, nuk do t’i funksionojë për të marrë besimin e qytetarëve.
Kështu tha pasi që iu lëshua një video e Osmanit, e cila gjatë një takimi me qytetarët në lagjen “Dardania” në Prishtinë, theksoi se Kurti me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe ish të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë qëndruar për orë të tëra në një dhomë dhe se nuk dihet për çfarë kanë biseduar.
“Ajo është dhoma e Brukselit, e negociatave ku natyrisht që rrihet me orë të tëra e ku janë të gjithë ndërkombëtarët. Por, çfarë është duke ndodh është dy tema po e shoh që është duke u munduar t’i përdor Osmani: Amerika dhe Serbia. Amerikën e përdor qysh e ka përdor PDK-ja dhe LDK-ja qeto 6 vjet. Po dojnë me e mbrojtë Amerikën prej Albin Kurtit, po mendojnë që Amerika është e rrezikume prej Albin Kurti, edhe këta paskan mbet më dal edhe me mbrojtë se është shumë e rrezikuar. Edhe e dyta me e frikësu popullin me Serbinë“, tha Konjufca në Debat Plus.
Deklaratat e Osmanit i konsideroi që janë në funksion të fushatës elektorale, por konsideron që duke e kritikuar Kurtin nuk do të marrë mbështetje qytetare.
“Çka janë këto? Këto janë zgjedhore bre. Ajo pasi e ka marrë këtë rrugë, nuk mundet me fitu vota duke thënë Albin Kurti është më i miri. Ajo po mundohet me marrë vota duke thënë Albin Kurti është më i keqi. Atë rrugë e ka zgjedh. Ajo nuk po e din që ajo rrugë nuk funksionon. Nuk funksionon zonjë se ne jemi qata të 2021-së“, potencoi ai.
Konjufca theksoi se nuk është për ta sharë rrugën që e ka zgjedh Osmani, por për t’i thënë se është gabim ajo rrugë.
“Është gabim, rrugë që nuk funksionon dhe rrugë për të cilën qytetarët nuk e shpërblejnë. Sepse është rrugë personale për me kriju një hapësirë personale politike“, konsideron ai.









