I përballur me një breshëri kërcënimesh amerikane për të marrë Grenlandën, ministri i jashtëm i Danimarkës dhe homologu i tij nga Grenlanda fluturuan drejt Washingtonit për, siç shpresonin, bisedime mirëkuptuese me sekretarin e shtetit, Marco Rubio, shkruan Politico.
Plani i tyre për një bisedë diplomatike u përshkallëzua në një përballje të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë me zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance.
Gjatë vitit të kaluar, zëvendëspresidenti amerikan ka fituar reputacion për armiqësi ndaj Evropës dhe shumë qeveri evropiane frikësohen nga ndikimi i tij mbi presidentin Donald Trump, sidomos kur bëhet fjalë për marrjen Grenlandws, territorit autonom të Danimarkës, aleatit të vjetër amerikan.
Nga 10 ministrat dhe zyrtarët që folën në mënyrë anonime për POLITICO për këtë artikull, asnjëri nuk e konsideroi Vance-in si aleat, as në bisedimet për Grenlandën dhe as për marrëdhënien transatlantike në përgjithësi.
“Vance na urren”, deklaroi një diplomat evropian, i cili foli në kushte anonimiteti. Njoftimi se zëvendëspresidenti do të drejtonte bisedimet në Washington për Grenlandën alarmoi palën evropiane. “Ai është njeri i ashpër,” tha i njëjti diplomat. “Fakti që ai është aty thotë shumë dhe mendoj se është negativ pwr pwrfundimin.”
Trump thotë se dëshiron “pronësinë” e Grenlandës për arsye të sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe se do ta marrë atë ose përmes negociatave, ose, nëse është e nevojshme, ndoshta përmes ushtrisw.
Në lojë është shumë më tepër sesa thjesht fati i një ishulli me 57 mijë banorë, apo edhe e ardhmja e Arktikut. Retorika luftarake nga Shtëpia e Bardhë ka shqetësuar aleatët e NATO-s dhe ka provokuar paralajmërime nga Danimarka se një hap i tillë do ta shkatërronte aleancën perëndimore të pasluftës. Të tjerë thonë se kjo tashmë është fatale për rendin ndërkombëtar mbi të cilin mbështeten marrëdhëniet transatlantike.
Në fund, bisedimet në Washington të mërkurën shkuan mirë aq sa mund të pritej. Amerikanët ishin të drejtpërdrejtë, por nuk pati shpallje lufte. Takimi nuk degjeneroi në një poshtërim publik të ngjashëm me atë që Vance kishte bwrw ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një vizite tw tij në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar.
Të dyja palët mbrojtën qartë pozicionet e tyre me forcë, por ranë dakord të vazhdojnë bisedimet. Një grup pune i nivelit të lartë do të shqyrtojë nëse mund të arrihet ndonjë kompromis mes danezëve, grenlandezëve dhe Trump-it.
Diskutimi “nuk ishte aq i suksesshëm sa të arrinim në një përfundim ku kolegët tanë amerikanë të thoshin: ‘Na vjen keq, ishte krejtësisht një keqkuptim, heqim dorë nga ambiciet tona,’” u shpreh me ironi ministri i jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, për gazetarët pas asaj që ai e përshkroi si një shkëmbim “të sinqertë” me Vance dhe Rubio. “Është e qartë se ka një mosmarrëveshje.”
“Presidenti ka dëshirë për të pushtuar Grenlandën,” shtoi Rasmussen. “Për ne, idetë që nuk respektojnë integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës, apo të drejtën e vetëvendosjes së popullit grenlandez, janë sigurisht krejtësisht të papranueshme. Prandaj kemi ende një mosmarrëveshje thelbësore. Dhe biem dakord të mos biem dakord.”
Bisedimet e ardhshme, tha ai, duhet të respektojnë “vijat e kuqe” të vendosura nga Grenlanda dhe Danimarka. Shpresohet që grupi i punës të ndihmojë në uljen e “temperaturës” së çështjes kur të fillojë punën në javët në vijim, shtoi Rasmussen.
Ndërsa Donald Trump mund të shpërqendrohet, thonë disa zyrtarë të BE-së, JD Vance duket më ideologjik në armiqësinë e tij ndaj Evropës.
Fitorja e vogël për danezët është se çështja e Grenlandës, të paktën për momentin, është zhvendosur nga imazhet e çmendura në rrjetet sociale të ishullit të mbështjellë me flamurin amerikan, drejt një kanali të rregullt diplomatik, duke u dhënë të gjithëve kohë të qetësohen.