Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar sërish për audio-incizimin e publikuar nga VOX Kosova, ku ai dëgjohet në një bashkëbisedim me biznesmenin Labinot Halilajn, teksa flasin për ndërtime banesash në një prone komunale. Halilaj është edhe kandidat për Asamblenë Komunale në Drenas në Listën “Për Drenasin Kampion”, të themeluar së fundi nga Ramiz Lladrovci.
Në atë bisedë, Lladrovci ia bën llogaritë milionëshe Halilajt dhe i premton edhe lejim të mbindërtimit.
Kryetari i Komunës së Drenasit, në një konferencë për shtyp, ka pretenduar se incizimi është i prerë duke insistuar që të publikohet i ploti.
“Ne i kemi thënë edhe atij që e ka publikuar video-incizimin se është i prerë e i sakatuar dhe ftojmë të kërkojë video-incizimin e plotë të atij që ka incizuar”, tha Lladrovci.
VOX Kosova e ka publikuar të plotë audio-incizimin që e posedon, prej 9 minutash e 23 sekondash, ndërkohë që edhe para publikimit të tij, ka kontaktuar të gjitha palët e përfshira për të dhënë versionet e tyre.
Lladrovci në disa raste ka deklaruar se incizimin nuk është i plotë, por përkundër insistimeve të VOX Kosova, që ta dërgojë versionin e plotë – e me pas ai të publikohet, ai nuk e ka bërë një gjë të tillë. Madje as nuk e ka publikuar vetë.
Ramiz Lladrovci në konferencë ka folur edhe për betejat rreth pronës në fjalë, duke përmendur kontestime nëpër Gjykata.
Incizimi, që është bërë nga dikush i pranishëm në tavolinë ku po diskutoheshin milionat e metrat katrorë pa leje, besohet të jetë bërë në vitin 2024, mes muajve shtator e nëntor.
Bëhet fjalë për ndërtimin e rreth 40 mijë metra katrorë në Komunën e Drenasit.
Biseda mes Lladrovcit dhe Halilajt zhvillohet për fitimet e mundshme që dalin nga ky ndërtim. Kryetari i Komunës së Drenasit përpiqet që t’i tregojë se sa milionë është fitimi për tashmë kandidatin e listës së tij për asamble.
Në bisedë vërehet insistimi i Lladrovcit për ta bindur Halilajn se ka leverdi në këtë ndërtim.
Në fund të këtij audio-incizimit, Lladrovci shpreh interesimin që edhe vetë ta marrë këtë projekt, i cili thotë se ka përfitim plotë 15 milionë euro.









