Partia VMRO-DPMNE e kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski ka shpallur fitore bindëse në rundin e parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut.

Partia e pushtetit ka arritur që që në rundin e parë ta mbyllë garën në 30 nga 80 komunat e RMV-së, ndërsa ka hyrë në rundin e dytë edhe në 20 komuna të tjera, ndër to edhe në Qytetin e Shkupit, ku prin dukshëm.

“Premtuam fitore, kemi fitore”, deklaroi kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Partia opozitare maqedonase, LSDM, pësoi humbje të thellë elektorale. LSDM-ja e Venko Filipçe arriti të fitojë në rund të parë në vetëm tri komuna, ndërsa në rund të dytë do të garojë në rreth njëzet komuna të tjera.

“Kjo është dëshmi për konsolidimin brenda partisë që ka filluar dhe do ta vazhdojmë,” deklaroi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje pas këtyre rezultateve zgjedhore.

Në bllokun shqiptar, fitoren e ka shpallur koalicioni VLEN, i cili është në koalicion qeveritar edhe me Mickoskin, e që ka arritur të fitojë komunën e Çairit dhe të hyjë si e para në rundin e dytë të zgjedhjeve në Tetovë. VLEN ka konfirmuar fitoren edhe në 4 komuna të tjera.

Ky, sipas Izet Mexhitit, kandidatit të VLEN për kryetar të Çairit, është çasti kur Ali Ahmeti, dikur kryetar i tij, duhet të tërhiqet. “Vota e shqiptarëve të dërgojë në pension politik, kështu që uroj nga zemra ditë të qeta dhe pensioni”, deklaroi ai ndër të tjera në një konferencë për media pas mbylljes së rundit të parë.

Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim, e prirë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, fitoi zgjedhjet në këto komuna: Gostivar, Likovë, Çashkë e Plasnicë.

Fitorja në komunën e Çashkës konsiderohet të jetë fitore historike për faktin se është hera e parë që do të udhëhiqet nga një shqiptar.

Nga AKI, konsiderojnë se janë fitues bindës në nivel kombëtar pasi kanë epërsi mbi 20 mijë vota.

“AKI është fituese absolute me mbi 20.000 vota epërsi, dhe me votat që ende po përpunohen, kjo diferencë mund të jetë edhe më e madhe”, ka deklaruar nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.

Rundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut është caktuar për datën 2 nëntor.