Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje se deputetët e kanë obligative që të qëndrojnë në sallë për zgjedhjen e Presidentit.
Në vendimin që Kushtetuesja shpalli të mërkurën në lidhje me dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, thuhet se deputetët nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues.
Tek pika 175 e vendimit, thuhet se “në lidhje me mandatin dhe ushtrimin e funksionit të deputetit, Gjykata rikujton që Kushtetuta në nenin 70 [Mandati i Deputetëve] përcakton që deputetët si përfaqësues të zgjedhur të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues…”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media më 6 mars, kur kishte dalur për të kundërshtuar dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, kishte thënë se deputetët e kanë obligim që të vijnë në seancë.
“Është obligim kushtetues i deputetëve që të kryejnë detyrën e tyre për çfarë i ka zgjedhur populli i Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit 2025 dhe të vijnë në vendin e tyre të punës në seanca plenare dhe aty të marrin pjesë e të votojnë”, kishte deklaruar Kurti.
Njëjtë kishte thënë edhe Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, një ditë para Kurtit.
Në seancën e 5 marsit për zgjedhjen e Presidentit, Haxhiu, pasi që konstatoi se nuk ka kuorum për vazhdimin e procedurave për zgjedhjen e Presidentit, i ftoi deputetët që të vijnë në sallë duke u thirrur në “obligime kushtetuese”.
“I ftoj deputetët që të vijnë në seancën e jashtëzakonshme sipas obligimeve kushtetuese”, thoshte Haxhiu.









