Zyra e Presidencës, në një përgjigje për VOX Kosova, ka thënë se do të kundërshtojë kërkesat për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
“Në momentin që hapet thirrja për komente, do t’i dorëzojmë komentet tona si edhe vitet e kaluara, duke u udhëhequr nga interesi publik”, ka deklaruar Bekim Kupina, zëdhënës në Presidencë.
Kupina ka potencuar se qëndrimi i Presidencës do të jetë i njëjtë, dukë iu referuar kundërshtimit që ky institucion i pati bërë propozimit për 15% në mars të vitit të kaluar.
“Në rast se do të ketë ndryshime apo rritje të tarifave, qëndrimi ynë do të mbetet i njëjtë, ashtu siç ka qenë në çdo rast kur çështja e rritjes së çmimeve ka qenë në diskutim”, ka thënë Kupina.
Në fillim të këtij muaji, Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) kërkoi rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 21.4%.
Kujtojmë se që nga viti 2021, rryma nga ZRRE-ja për konsumatorët është shtrenjtuar të paktën 2 herë.
Në vitin 2023, ZRRE rriti faturat për 15.4 për qind, ndërsa në vitin 2025 rritja ishte 16.1 për qind.









