Qytetarët e Gjilanit, kryeqendrës së Anamoravës, si të gjithë qytetarët e Kosovës, të dielën (nesër) do të zgjedhin të kryetarin e tyre. Si opsione kanë Kryetarin aktual, Alban Hysenin e Vetëvendosjes, Arbër Ismajlin e LDK-së, Riad Rashitin e PDK-së, Nazmi Gagicën e AAK-së dhe Isa Agushin e Bashkimit për Ndryshim në Anamoravë.
Pretendentët kryesorë janë Hyseni i VV-së, i cili duket se ka një epërsi në garë, dhe Ismajlit të LDK-së.
Zgjedhjet e 2007-s: Fitorja e PDK-së
Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, për herë të parë pasluftë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) fitoi Gjilanin.
Në raundin e parë, PDK mori 13 mijë e 164 vota (37.01%), LDK 7 mijë e 097 vota (19.95%), ndërsa Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) 5 mijë e 406 vota (15.20%).
Balotazhi u mbajt më 8 dhjetor 2007, ku Qemajl Mustafa (PDK) fitoi me 14 mijë e 031 vota (66.46%), përballë Lirije Kajtazit (LDK) me 7 mijë e 081 vota (33.54%).
Ky rezultat i dha PDK-së pushtetin në një nga komunat ku LDK e kishte bastion të padiskutueshëm.
2009: konsolidimi i PDK-së me Qemajl Mustafën
Në zgjedhjet e vitit 2009, PDK ruajti kontrollin e Gjilanit.
Qemajl Mustafa (PDK) fitoi raundin e parë me 15 mijë e 610 vota (38.66%), përballë Fatmir Rexhepit (LDK) me 11 mijë e 154 vota (27.63%) dhe Ahmet Isufit (AAK) me 5 mijë e 610 vota (13.89%).
Në balotazhin e 15 marsit 2010 – i dyti, pasi që në të parin, më 13 dhjetor 2009, kishte parregullsi – Mustafa konfirmoi fitoren, duke shënuar mandatin e dytë radhazi të PDK-së në këtë komunë. Ai mori 58% të votave, ndërsa Rexhepi i LDK-së 42%
2013: kthimi i LDK-së me Lutfi Hazirin
Pas dy mandateve të PDK-së, zgjedhjet e 2013-s sollën rikthimin e LDK-së në Gjilan.
Në raundin e parë, Lutfi Haziri (LDK) mori 19 mijë e 465 vota (40.61%), duke lënë pas Qemajl Mustafën (PDK) me 12 mijë e 194 (25.44%) dhe Ismajl Kurteshin (VV) me 6 mijë e 863 (14.32%).
Balotazhi i 1 dhjetorit 2013 e përmbylli garën me fitore të qartë për Hazirin. Ai mori 25 mijë e 703 vota (59.99%), ndërsa Mustafa 17 mijë e 140 (40.01%).
Me fitoren e Hazirit, LDK riktheu bastionin e saj tradicional pas gjashtë vitesh opozitë.
2017: Haziri ruan pushtetin
Në zgjedhjet e vitit 2017, Lutfi Haziri (LDK) u rizgjodh Kryetar i Gjilanit.
Në raundin e parë mori 19 mijë e 755 vota (43.51%), ndërsa Sami Kurteshi (VV) 12 mijë e 614 vota (27.78%), kurse i treti u rendit Zenun Pajaziti (PDK), me 8 mijë e 182 (18.02%).
Në balotazh, Haziri fitoi bindshëm. Mori 21 mijë e 261 vota (63.81%), përballë 12 mijë e 57 votave (36.19%) të Kurteshit.
Kjo ishte njëra nga fitoret më të thella të LDK-së në këtë qytet.
2021: përmbysja e madhe — VV rrëzon Hazirin
Në 17 tetor 2021, ndodhi një nga përmbysjet më të bujshme politike të dekadës. Lutfi Haziri humbi Gjilanin.
Në raundin e parë, Alban Hyseni (VV) mori 19 mijë e 57 vota (44.71%), duke kaluar mbi Lutfi Hazirin (LDK), i cili kishte 18 mijë e 546 vota (43.51%).
Në balotazhin e 14 nëntorit, Hyseni fitoi. Ai mori 21 mijë e 800 vota (51.10%), ndërsa Haziri 20 mijë e 865 (48.90%).
Pas shumë vitesh dominim, LDK dorëzoi Gjilanin, ndërsa VV mori në udhëheqje këtë komunë për herë të parë.
2025: beteja për rikonfirmim apo rikthim
Në zgjedhjet e së dielës, Alban Hyseni kërkon një mandat të dytë. Arbër Ismajli i LDK-së synon të rikthejë partinë në udhëheqje të Gjilanit pas katër vitesh opozitë. Riad Rashiti (PDK), përkundër performacës së mirë në debate televizive, duket e vështirë që të jetë pretendent serioz për të marrë drejtimin e komunës. Ndërsa, kandidatët e tjerë janë pa gjasa reale në garë.
Gjilani është shembull i një elektorati të pjekur që ndëshkon apo shpërblen sipas performancës.









