Pesë ditë para se hungarezët të votojnë në zgjedhje që mund ta rrëzojnë Viktor Orban pas 16 vitesh në pushtet, zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka ndërhyrë në fushatë për t’i dhënë një mbështetje të fortë kryeministrit hungarez, duke sulmuar sërish ashpër BE-në.

Duke qëndruar përkrah Orban it, Vance tha se ishte në Budapest “për ta ndihmuar në këtë cikël zgjedhor”, megjithëse pranoi se SHBA do të “punojë me këdo që fiton zgjedhjet”.

Rivali kryesor i Orban it, Peter  Magyar, është përpara në shumicën e sondazheve.

Kryeministri veteran është një aleat kyç evropian i administratës së Donald Trump, si dhe partneri më i afërt në BE i presidentit rus Vladimir Putin.

Pas katër fitoreve radhazi që nga viti 2010, Orban  përballet me sfidën më të vështirë në një karrierë politike që zgjat pothuajse 40 vjet.

Në një përpjekje të fundit për ta forcuar para votimit të 12 prillit, Vance dhe bashkëshortja e tij Usha mbërritën në Budapest për vizitën e parë të nivelit të lartë amerikan në Hungari pas 20 vitesh. Ata u pritën nga ministri i Jashtëm Peter Szijjarto, i cili tha se miqësia e Orban it me Trump kishte krijuar një “epokë të re të artë” në marrëdhëniet amerikano-hungareze.

Peter Magyar reagoi ndaj vizitës duke thënë se partia e tij Tisza e mirëpret Vance në Budapest dhe se, nëse vjen në pushtet, do ta konsiderojë SHBA-në një partner të rëndësishëm si aleat në NATO dhe partner ekonomik.

Pas bisedimeve me Orban in, Vance sulmoi ashpër Bashkimin Evropian dhe Ukrainën. Ai akuzoi BE-në për “një nga shembujt më të këqij të ndërhyrjes së huaj në zgjedhje që kam parë ndonjëherë… sepse ata e urrejnë këtë njeri”.

Vance shtoi se “një pjesë e arsyes” së vizitës së tij ishte se “ndërhyrja që ka ardhur nga burokracia në Bruksel ka qenë vërtet e turpshme”.

Në një tubim elektoral të Orban it, ai tha: “Ne duam që ju të merrni një vendim për të ardhmen tuaj pa presion nga forca të jashtme. Nuk po ju them për kë të votoni, por burokratët në Bruksel nuk duhet të dëgjohen”.

Ai e përfundoi fjalimin duke u bërë thirrje të pranishmëve të “shkojnë në votime këtë fundjavë dhe të qëndrojnë me Viktor Orbanin, sepse ai qëndron për ju”.

Liderët e BE-së janë frustruar prej javësh që Orban ka vënë veto ndaj miliarda eurove ndihmë për Ukrainën, edhe pse ishte dakorduar më parë. Kancelari gjerman Friedrich Merz e quajti këtë “një akt të rëndë mosbesnikërie”.

Megjithatë, ata kanë shmangur përfshirjen direkte në fushatën zgjedhore hungareze.

Deklaratat e Vance i ngjajnë një fjalimi që ai mbajti në Mynih në shkurt 2025, ku akuzoi liderët evropianë për kufizim të lirisë së shprehjes.

Ai gjithashtu përsëriti pretendime të pabazuara se Kievi kishte ndërhyrë në zgjedhje, duke thënë se “elementë brenda shërbimeve të inteligjencës ukrainase kanë tentuar të ndikojnë në zgjedhjet amerikane dhe hungareze”.

Orban  e ka bërë qëndrimin kundër Ukrainës dhe presidentit Volodymyr Zelensky një pjesë kyçe të fushatës së tij.

Kur Serbia njoftoi se eksplozivë ishin zbuluar pranë gazsjellësit TurkStream, afër kufirit me Hungarinë, Orban dhe mediat pro-qeveritare e cilësuan incidentin si sulm terrorist ndaj furnizimit energjetik të Hungarisë. Ukraina mohoi përfshirjen, duke sugjeruar se ishte një “operacion i rremë rus”.

Burime ish-inteligjence në Hungari dhe opozita, përfshirë Peter Magyar, akuzuan Orbanin se e kishte inskenuar incidentin me ndihmën e presidentit serb Aleksandar Vuçiç për të rritur shanset e tij në zgjedhje.

Miqësia mes Trump dhe Orban  daton që nga viti 2016, kur ky i fundit ishte i vetmi lider i BE-së që e mbështeti në zgjedhjet presidenciale amerikane. Ai e mbështeti fuqishëm edhe në vitin 2024 dhe vizitoi Uashingtonin për të siguruar përjashtime nga sanksionet amerikane ndaj kompanive ruse të naftës.

Trump më vonë e quajti këtë një marrëveshje personale me Orban in, duke lënë të kuptohet se nëse ai humb zgjedhjet, pasardhësi do të duhet të aplikojë sërish.

Hungaria, pothuajse e vetme në BE, ka kundërshtuar thirrjet për të hequr dorë nga energjia ruse. Ajo varet shumë nga nafta ruse përmes gazsjellësit Druzhba dhe nga gazi përmes TurkStream.

Megjithatë, furnizimet janë bërë problematike: nafta nuk ka mbërritur përmes Druzhba që nga fundi i janarit, dhe Hungaria është detyruar të përdorë rezerva dhe të importojë naftë nga burime alternative.

Zgjedhjet konsiderohen si sfida më e madhe e Orban it në dekada, ndërsa skandale të fundit – përfshirë rrjedhjen e bisedave të ministrit Szijjártó me zyrtarë rusë – duket se kanë dëmtuar popullaritetin e tij.

Orban  është akuzuar nga Parlamenti Evropian për drejtimin e një “regjimi hibrid autokratik”, ndërsa organizata Transparency International e rendit Hungarinë si vendin më të korruptuar në BE.

Miliarda euro fonde të BE-së janë bllokuar për shkak të shqetësimeve për sundimin e ligjit.