Mitrovica, qyteti i minatorëve, që shumë shpesh ka qenë simbol i përplasje të forta politike, të dielën ka para vetes garën më të ashpër politike se kurrë më parë. Në fletëvotim është emri i Faton Pecit të Vetëvendosjes dhe Arian Tahirit të Parisë Demokratike të Kosovës.
Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor, Peci doli minimalisht i pari me 47.94 për qind apo 15 mijë e 830 vota, ndërsa Tahiri mori 47.57 për qind apo 15 mijë e 708 vota. Dy kandidatët e tjerë, Gëzim Plakolli i LDK-së me 3.71 për qind apo 1 mijë e 225 vota dhe Qazim Nimani i AAK-së me 0.77 për qind apo 255 vota, kanë vendosur të mbështesin Tahirin në balotazh.
Për VV-në, gara në Mitrovicë duket që është jetike. I gjithë kabineti qeveritar është angazhuar në fushatën në Mitrovicë. Madje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë fushatës për balotazh, pothuajse çdo ditë – madje deri në orët e vona të natës – ka qëndruar në Mitrovicë, në përpjekje e sipër për t’ia siguruar fitoren Pecit.
Nga ana tjetër, Tahiri ka vazhduar fushatën e tij të qetë, jo polarizuese duke tentuar ta ruajë qeverisjen e PDK-së në Mitrovicë dhe kështu ta pasojë Bedri Hamzën – nënkryetar i së cilit ishte gjatë viteve 2021-2025.
Historiku i zgjedhjeve në Mitrovicë
Zgjedhjet e vitit 2007: Dominimi i PDK-së
Në zgjedhjet lokale të 17 nëntorit 2007, PDK fitoi raundin e parë me 8 mijë e 599 vota (36.51%), duke lënë pas LDK-në me 5 mijë e 628 vota (23.90%) dhe AKR-në me 5 mijë e 437 vota (23.08%).
Në raundin e dytë, më 8 dhjetor 2007, Bajram Rexhepi (PDK) fitoi me 8 mijë e 861 vota (56.04%), përballë Sadri Feratit (LDK) me 6 mijë e 950 vota (43.96%).
Ky rezultat shënoi fillimin e dominimit të PDK-së në Mitrovicë, duke e kthyer qytetin në një bastion të fortë të kësaj partie në Veri të Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2009: Rikonfirmimi i PDK-së me kandidat tjetër
Në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009, Avni Kastrati (PDK) fitoi në raundin e parë. Ai mori 11 mijë e 137 vota (39.17%). I dyti ishte Nexhmedin Spahiu (AKR), i cili grumbulloi 6 mijë e 417 vota (22.57%), ndërsa Mursel Ibrahimit (LDK), që u rendit i treti, mori 5 mijë e 556 vota (19.54%).
Në balotazhin e 13 dhjetorit 2009, Kastrati fitoi me 10 mijë e 999 vota (53.12%), kundrejt 9 mijë e 708 votave (46.88%) të Spahiut.
Zgjedhjet e vitit 2013: përmbysja befasuese e Agim Bahtirit
Në 3 nëntor 2013, Mitrovica bëri një ndryshim të papritur.
Në raundin e parë, Avni Kastrati (PDK) kryesoi me 15 mijë e 839 vota (41.84%), përpara Agim Bahtirit (AKR) me 11 mijë e 250 (29.73%) dhe Safet Kamberit (LDK) me 6 mijë e 904 (18.24%).
Balotazhi i 1 dhjetorit 2013 solli përmbysjen: Agim Bahtiri (AKR) fitoi me 17 mijë e 302 vota (52.35%), kundrejt 15 mijë e 757 (47.65%) të Kastratit.
Zgjedhjet e vitit 2017: Bahtiri mban pushtetin
Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017, Agim Bahtiri (AKR) kërkoi një mandat të dytë përballë Valdete Idrizit (PDK) dhe Safet Kamberit (LDK).
Në raundin e parë, Idrizi doli e para. Mori 9 mijë e 119 vota (29.45%). Bahtiri, që u rendit i dyti, grumbulloi 8 mijë e 393 (27.11%), ndërsa Kamberi 6 mijë e 695 (21.62%).
Raundi i dytë, më 19 nëntor 2017, përfundoi me fitore për Bahtirin, pasi që mori 16 mijë e 509 vota (57.41%), kundrejt 12 mijë e 245 (42.59%) të Idrizit.
Kështu, Mitrovica mbeti nën drejtimin e Bahtirit edhe për një mandat.
Zgjedhjet e vitit 2021: rikthimi i PDK-së me Bedri Hamzën
Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021, PDK arriti të rikthejë komunën me Bedri Hamzën. Dhe këtë e bëri në raundin e parë.
Bedri Hamza (PDK) fitoi me 16 mijë e 556 vota (53.69%), ndërsa Agim Bahtiri, që kësaj radhe kishte garuar me siglën e Vetëvendosjes, mori 10 mijë e 654 vota (34.53%). I treti doli Armend Agolli (LDK) me 3 mijë e 636 vota (11.78%).
Fitorja e Hamzës shënon rikthimin e PDK-së në Mitrovicë pas 8 vitesh opozitë.
Balotazhi i 9 nëntorit
Në Mitrovicë po cilësohet si një nga garat më të pabarabarta në balotazhin e 9 nëntorit. Kjo për faktin se kandidati i PDK-së, Arian Tahiri, nuk po përballet vetëm me kundërkandidatin e tij, Faton Peci, pasi që në mbështetje të tij është vendosur i gjithë kabineti qeveritar, posaçërisht Albin Kurti, i cili ka qëndruar për ditë me radhë – edhe në orë të vona të natës – në këtë qytet për t’i dhënë përkrahje Pecit.
Mitrovica ishte kryeqendra e raundit të parë të zgjedhjeve lokale. Kjo për shkak se exit pollet që u prezantuan menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit treguan për një fitore bindëse pa balotazh të Tahirit, por numërimi i votave tregoi diçka tjetër, një garë tejet të ngushtë.









