Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka nisur sërish sulme ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), duke e përmendur tërthorazi edhe prokurorin Jack Smith – i cili ngriti aktakuzat kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Rubio e përmendi Smithin teksa fliste për njerëzit që kanë punuar në ICC dhe Hage.

Megjithatë, nuk e ka përmendur askund Gjykatën Speciale dhe krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

“Gjykata Ndërkombëtare Penale është një organizatë ndërkombëtare jolegjitime. Sinqerisht, është jolegjitime, sepse e bën veten të tillë kur pretendon se, edhe nëse nuk je anëtar i asaj gjykate, ajo prapëseprapë mund të ndjekë penalisht. Kjo, në të ardhmen, do të thotë se ushtarakët amerikanë, udhëheqësit politikë dhe të tjerë mund ta gjejnë veten nën aktakuzë nga kjo Gjykatë Ndërkombëtare Penale. Nëse doni të dini pak më shumë për të, Jack Smith ka punuar dikur atje. Këta janë njerëz që mendojnë se mund të dalin dhe, në thelb, të ngrenë aktakuza kundër çdo udhëheqësi botëror dhe ta çojnë atë në Hagë”, deklaroi Rubio.

Ai shtoi se janë duke u përpjekur t’i bindin zyrtarët në Hagë që të reformohen dhe t’i dëgjojnë kërkesat e SHBA-së.

“Jemi përpjekur t’i bindim të reformohen dhe të na dëgjojnë. Ata nuk e bënë këtë; janë shumë arrogantë. Tani kemi nisur një përpjekje serioze për ta vënë atë gjykatë nën kontroll”, tha Rubio në një konferencë për shtyp së bashku me presidentin Donald Trump.

Rubio pretendoi gjithashtu se disa shtete tashmë kanë vendosur të largohen nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

“Që kur e nisëm këtë nismë, para dy javësh, pesë shtete janë larguar tashmë nga ICC-ja dhe e kanë njoftuar zyrtarisht se po tërhiqen, ndërsa ne besojmë se do të ketë edhe të tjera”.