Publicisti Blerim Shala, në një intervistë me gazetarin e VOX Kosova, Lirim Mehmetaj, ka treguar për betejat që Serbia, së bashku me Rusinë, i kanë bërë për të kontestuar pavarësinë e Kosovës, njëra prej të cilave do të ishte krijimi i Gjykatës Speciale, apo akuzat që u bën, si ajo për trafikimin e organeve, që do çonte në krijimin e këtij mekanizmi.
“Në katër tema të veçanta, Serbia dhe Rusia, do ta kontestojnë Pavarësinë e Kosovës, para së gjithash Serbia do ta kontestojë duke qenë brenda Kosovës. Duke thënë ku ka serbë do të jetë Serbi dhe duke bllokuar sidomos veriun e Kosovës që të integrohet brenda Kosovës. Pra, ka ndodh bllokimi territorial i shtetësisë së Kosovës përmes pranisë, në veri të Kosovës veçmas”, tha Shala.
“Pastaj ndodh bllokimi ndërkombëtar, sepse ne supozonim qysh e dimë të gjithë, që Kosova do të bëhet shpejt anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe do ta sigurojmë të ashtuquajturën njohje universale prej të gjitha shteteve”.
“Këtu Rusia do ta përfillë kërkesën e Serbisë dhe do të kërcënohet me përdorimin e të drejtës së vetos në qoftë se Kosova aplikon për t’u bërë shtet anëtar i OKB-së. Kontestimi i tretë do të jetë përmes vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që ta trajtojë temën e legalitetit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me kërkesë të Serbisë. Kjo ka ndodh në tetor të vitit 2008 dhe siç e dimë pastaj, do të trajtohet çështja e Pavarësisë së Kosovës edhe në GjND në verën e vitit 2010”.
“Kontestimi i katërt do të vijë përmes të ashtuquajturit senator të Rusisë, Konstantin Kosachev, i cili ka qenë anëtar i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, i cili do ta iniciojë temën e famshme të Shtëpisë së Verdhë, të trafikimit të organeve të qytetarëve serbë, e cila në fakt ishte trajtuar qysh në raportin e Carla Del Ponte, sepse e dimë që Carla Del Ponte ka qenë kryeprokurore në Tribunalin e Hagës. Dhe nuk ka dalë gjë, ajo ka pasur mandat, ka shkuar në Shqipëri përmes UNMIK-ut, nuk ka dalë gjë prej atij hetimi”.
Sidoqoftë, Shala potencon se kjo e Kosachev-it, “synon ta kriminalizojë luftën e UÇK-së, jo vetëm ta trajtojë një shpifje ordinere çfarë ka qenë Shtëpia e Verdhë por edhe ta kriminalizojë luftën e UÇK-së”.








