Presidenti amerikan, Donald Trump të mërkurën bëri thirrje që ish-Prokurori Special Jack Smith dhe disa të tjerë të “hetohen dhe të futen në burg”.

“Këta banditë duhet të hetohen dhe të futen të gjithë në burg”, shkroi Trump në një postim në platformën Truth Social.

“Një turp për njerëzimin. I çmenduri Jack Smith është kriminel!!!”, shkroi Trump.

Presidenti bashkangjiti postimit një artikull nga media konservatore “Just the News” që flet për hetimin e FBI-së, e ku thuhet se Smith kishte hetuar rreth 160 republikanë, shkruan NBC NEWS.

Republikanët në Kongres kanë shprehur zemërim për hetimin fillestar, të njohur si hetimi “Arctic Frost”, për të cilin senatorët republikanë thanë se përfshinte analizimin nga FBI i të dhënave personale të telefonave celularë të ligjvënësve republikanë.

Lanny Breuer, avokati i Jack Smith, dha një deklaratë për NBC News pas akuzave të Trump.

“Siç i informuam drejtuesit e Kongresit javën e kaluar, Jack është i gatshëm të diskutojë punën e tij si Prokuror Special dhe t’u përgjigjet pyetjeve në një seancë publike, ashtu siç kanë bërë çdo prokuror tjetër special që ka hetuar një president para tij. Shpresojmë që Komisionet Gjyqësore të Dhomës dhe Senatit të bien dakord, në mënyrë që populli amerikan ta dëgjojë drejtpërdrejt prej tij. Caktoni kohën dhe vendin — Jack do të jetë aty”.

Thirrja e Presidentit që Smith të ndëshkohet është një nga kërcënimet më të drejtpërdrejta të tij ndaj ish-prokurorit special, i cili ka mbikëqyrur dy hetime federale ndaj Trumpit — njërin për përpjekjet për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020 dhe tjetrin për mënyrën e trajtimit të dokumenteve të klasifikuara — që rezultuan me aktakuza kundër tij.

Jack Smith më herët kishte ngritur aktakuzë edhe kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, një proces që ishte parë me shumë dyshime për mënyrën si ishte zhvilluar puna e tij.

Në një postim në Truth Social javën e kaluar, Trump sulmoi Smith dhe zyrtarë të tjerë të administratës Biden, përfshirë ish-drejtorin e FBI-së Christopher Wray (të cilin fillimisht e kishte emëruar vetë), ish-Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland dhe zëvendësen e tij Lisa Monaco.

“Këta të çmendur të majtë radikalë duhet të ndiqen penalisht për sjelljen e tyre të paligjshme dhe shumë të pandershme!”, shkroi Trump, duke iu referuar sërish hetimit paraprak të FBI-së, duke pretenduar se ata ishin të përfshirë në një konspiracion që “manipuloi” zgjedhjet e vitit 2020 kundër tij.

Administrata e Trump ka pushuar nga puna edhe prokurorë dhe agjentë të FBI-së që punuan në rastet e lidhura me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol, çka çoi në shkarkimin e shefit të zyrës së FBI-së në Nju Jork në mars.

Në fillim të këtij muaji, kryetari i Komisionit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, Jim Jordan (republikan nga Ohio), i dërgoi një letër Smith-it duke kërkuar që ai të dëshmojë përpara komisionit lidhur me atë që Jordan e quajti ndjekje “partizane” të Trumpit.