Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur si të palejuar ankesën e Blerim Isufajt kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës  për largimin e tij nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Në aktvendimin e saj, Gjykata Supreme ka vlerësuar se nuk ka kompetencë ta shqyrtojë këtë ankesë në bazë të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, pasi vendimi i KPK-së për largimin e Isufajt nuk është vendim disiplinor, por akt individual me karakter administrativ.

Sipas Gjykatës Supreme, largimi i kryeprokurorit nga pozita udhëheqëse, në bazë të nenit 22, paragrafit 5 të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, lidhet me menaxhimin dhe organizimin e sistemit prokurorial. Për këtë arsye, ligjshmëria e vendimit duhet të shqyrtohet përmes procedurës së konfliktit administrativ, nga gjykata kompetente.

Isufaj e kontestoi shkarkimin në disa pika.

Blerim Isufaj e kishte kundërshtuar vendimin e KPK-së të 2 tetorit 2026, me të cilin ishte larguar nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Në ankesën e tij, ai kishte pretenduar shkelje të procedurës, duke përfshirë pretendimin se vendimi ishte përgatitur para votimit, se atij i ishte mohuar e drejta për t’u dëgjuar dhe se nuk mund të verifikoheshin kuorumi, përbërja dhe mënyra e votimit në Këshill.

Po ashtu, Isufaj e kishte kontestuar vlerësimin e performancës dhe arsyetimin e KPK-së për keqmenaxhim, jokompetencë dhe dështim në kryerjen e detyrave të pozitës së kryeprokurorit. Ai kishte kërkuar nga Gjykata Supreme që ta ndryshonte vendimin, në mënyrë që të vazhdonte ushtrimin e funksionit deri në përfundimin e mandatit, ose ta anulonte atë dhe ta kthente.

Vendimi i Gjykates Supreme:

https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP_AA%20_40_2026_SQ.pdf?fbclid=IwY2xjawVNc-FleHRuA2FlbQIxMABwZG9mBWJyaWQRMWc2WnpCa2R4UU1GSUREWUNzcnRjBmFwcF9pZBAyMjIwMzkxNzg4MjAwODkyAAEe8cBJMlONt1v5Bc9bHwkw8GetiuGxNQOd8ChQsURMWnAuervkDD8apd034OY_aem_FeWC1_e9ZJJ4Uq_x28BZtg