Askush më shumë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi nuk e ka ndjerë peshën e madhe të një procesi të kontestuar që nga fillimi, me shqetësime serioze për shkeljen e të drejtave të njeriut, qasje politike e ndërtuar nga një aktakuzë e prokurorit të hetuar nga SHBA-të, Jack Smith, proces i mbyllur dhe i gjatë, si dhe paraburgim përtej çdo praktike e kuadri ligjor ndërkombëtar.
Të hënën e 9 shkurtit, do të nis beteja e fundit në sallën e seancave gjyqësore në Hagë në procesin kundër katër figurave të rëndësishme të luftës së Kosovës për liri.
Për disa ditë, palët do të paraqesin fjalët përfundimtare dhe më datën 18 shkurt, nga 20 minuta janë ndarë për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin.
Kur nisi procesi i dëgjimit të dëshmitarëve dhe prezantimit të provave, në prill 2023, pasi kishin kaluar dy vjet e gjysmë paraburgim pa gjykim, katërshja e UÇK-së shprehi shqetësime serioze për kahjen që mund të merrte gjykimi.
I deklaruar plotësisht i pafajshëm dhe i gatshëm të ballafaqohet me akuzat, ish presidenti Hashim Thaçi deklaroi se as viktimat…
“…nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen”.
Për të, një padrejtësi nuk mund të ndreqet…
“nga një padrejtësi tjetër”.
Kryeministri që shpalli Kosovën shtet të pavarur, solli në mendjen e gjyqtarëve se..
“realiteti po ngatërrohet me opinione e agjenda të ndryshme. Spekulimet po shndërrohen në fakte. Emocionet, motivet e mllefet politike të cilitdo akter politik nuk duhet të kuptohen si fakte në këtë sallë”.
Për bashkëluftëtarin dhe mikun e tij që nga rinia, në luftë e në procesin politik të shtet ndërtimit, Kadri Veselin, dikush duhet të merr përgjegjësinë që ky proces.
“të jetë jo vetëm fer, jo vetëm transparent, jo vetëm të respektoj procedurat, Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, por edhe të ruaj dhe garantoj një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme”
Ish Kryetari i Kuvendit të Kosovës shfaqi shqetësimin se nëse nuk respektohen këto të drejta dhe parime…
“Nuk ka të bëj vetëm me fatin tonë individual, ka të bëj me një mesazh, të cilin do ta dërgojmë tek populli i Kosovës, i cili e ka krijuar me vetëdije të plotë, e them edhe një herë, me vetëdije të plotë, por edhe me besim, këtë gjykatë, tek ju si partnerë tanë ndërkombëtarë dhe nuk duhet në asnjë mënyrë që t’i cenohet ky besim, të cilin e ka në shtetin ligjor dhe drejtësinë ndërkombëtare”.
Edhe për ish Kryetarin e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, në këtë gjykim…
“dallimet dhe opinionet politike mes nesh, sidomos në kohë specifike dhe me ndikime të thella politike, nuk duhet dhe nuk mund të përdoren si fakte juridike kundër askujt e po ashtu kundër neve, të bashkakuzuarve”.
Për zërin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, përmbajtja e aktakuzës e ka lënduar…
“më shumë sesa torturat mizore dhe dënimi me burg nga regjimi serb e jugosllav”.
Se opinionet e dallimet politike mund po e dominonin ketë proces, e ndjente edhe ai.
“Mos lejoni që të keqpërdoren mendimet e opinionet individuale të pasluftës për kohën e luftës”.
Pasi të jenë mbyllur dyert e sallës së seancave në Hagë, katër gjyqtarët e panelit, brenda 90 ditëve do të shpallin aktgjykimin, qënuk do të peshojë vetëm fatin e katër figurave të UÇK-së, por edhe historinë e luftës së popullit të Kosovës për liri dhe ndërtimit të shtetit. Do të jetë një moment kur kjo gjykatë, do të tregojë nëse është në gjendje dhe e aftë të ndajë drejtësinë nga politika dhe opinionet, dhe se parimet juridike ndërkombëtare të drejtësisë, nuk përdoren në mënyrë selektive.