Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiç, ka thënë se ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e madhe që populli i Kosovës u ka dhënë krerëve të UÇK-së. Thaçi, përcjell Misetiç, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të mbetën paqësorë për padrejtësinë e së mërkurës.
Misetiç pati kritika të forta për aktgjykimin e Trupit Gjykues ndaj Thaçit, e cila e dënoi me 25 vjet burgim, por edhe për të gjithë procesin në përgjithësi.
“Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e madhe që ai dhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga populli i Kosovës dhe nga mbështetësit ndërkombëtarë, si dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të mbeten paqësorë në përgjigje të padrejtësisë së djeshme”, ka thënë Misetiç.
Misetiç thekson se avokatët e Thaçit do ta dërgojnë në apel aktgjykimin e djeshëm. “Avokatët e z. Thaçi do ta apelojnë aktgjykimin e djeshëm të Trupit Gjykues para Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), duke pretenduar se janë bërë gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike që kanë cenuar drejtësinë e procesit gjyqësor”.
Gjatë gjithë procesit gjyqësor, ai thekson se Mbrojtja ka ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, “përfshirë shtrirjen e gjerë të pyetjeve të bëra drejtpërdrejt nga anëtarët e Trupit Gjykues, në një mënyrë që nuk krijonte përshtypjen e paanshmërisë”.
“Mbrojtja qëndron në qëndrimin se ndërhyrjet gjyqësore e kanë tejkaluar kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës, duke cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo mungesë e paanshmërisë tashmë përshkon edhe aktgjykimin e Trupit Gjykues”.
“Mbrojtja parashtron se konstatimet e Trupit Gjykues për fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm mbështeten në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara”.
Ai shpërfaqi edhe hipokrizinë që bëri Trupi Gjykues në lidhje me rastin e Behajdin Allaqit, rast për të cilin tha se Thaçi ka mohuar që të ketë qenë i përfshirë dhe ka kërkuar shqyrtim publik.
“Për më tepër, Trupi Gjykues dje deklaroi publikisht se z. Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit, pasi më herët kishte urdhëruar të gjitha palët në çështje që të mos diskutonin publikisht rastin e z. Allaqit gjatë seancave gjyqësore, si dhe kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me atë rast të mbaheshin konfidenciale”.
Kështu, Trupi Gjykues, ai thotë se e ka shpallur publikisht fajtor Thaçin për një vrasje, “ndërkohë që provat mbi të cilat e ka bazuar këtë përfundim i ka mbajtur të mbrojtura nga shqyrtimi publik. Z. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave”.
“Mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Trupit Gjykues për shkeljen e të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë, të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës”.
“Z. Thaçi mohon në mënyrë të prerë çdo përfshirje në vrasje”.
Respektimi i standardeve rigoroze të drejtësisë procedurale, ai thekson se është thelbësor për ruajtjen e besimit të publikut në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë penale.
Mbrojtja, siç tregon ai, do ta dorëzojë zyrtarisht njoftimin për apelim pranë Panelit të Apelit, me qëllim korrigjimin e këtyre gabimeve faktike, ligjore dhe procedurale.









