Sipas rezultateve të deritanishme të dhëna nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në tri komuna pa balotazh: Podujevë, Shtime dhe Kamenicë.

Po aq komuna ka fituar pa balotazh edhe Partia Demokratike e Kosovës — në Ferizaj, Skënderaj dhe Han të Elezit.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar fitore në dy komuna: Lipjan dhe Istog.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në Deçan, ndërsa Nisma Socialdemokrate në Malishevë.

Lista Serbe ka fituar në nëntë komuna me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.

Në Kllokot, Lista Serbe prin, por do të përballet në balotazh me Unitetin Kombëtar Serb.

Në Mamushë ka fituar kandidati i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), ndërsa në Drenas ka fituar Lista e Ramiz Lladrovcit.

Në më së shumti komuna në balotazh shkon Vetëvendosje — në 12 prej tyre: Gjilan, Fushë Kosovë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Prishtinë, Mitrovicë, Obiliq, Kaçanik, Rahovec, Viti dhe Vushtrri.

LDK garon në balotazh në nëntë komuna: Prishtinë, Dragash, Junik, Obiliq, Pejë, Viti, Suharekë, Gjilan dhe Fushë Kosovë.

PDK do të jetë në garë në gjashtë komuna: Prizren, Kaçanik, Mitrovicë, Vushtrri, Klinë dhe Dragash.

AAK garon në pesë komuna, në katër prej të cilave ka dalë e para: Rahovec, Suharekë, Gjakovë dhe Klinë, ndërsa në Junik renditet e dyta.