“Besojmë në një marrëveshje politike”, ka thënë deputetja nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, kur është pyetur nëse do të pranonin të bëhen pjesë e ndonjë qeverie të krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje, në rast se e njëjta i fton.
Nga kjo parti kishin kërkuar bashkëpunim me VV-në vetëm në nivel të Kuvendit, duke propozuar që Kryetar të jetë kreu i Nismës, Fatmir Limaj. Kishin pasur edhe takime. Por, tani ekziston një realitet i ri, duke qenë se Dimal Basha u zgjodh Kryetar i Parlamentit.
“I pyesim organet edhe vendosim. Ne një qëndrim e kemi dhënë në të kaluarën, kur ka pas rrethana të tjera politike. Tash janë rrethana të tjera. Prapë kemi me u ul me organet e partisë edhe me marr një vendim të ri”, ka thënë Izmaku në një prononcim për VOX Kosova.
Nisma, thotë Izmaku, do të jetë në tavolinë të bisedimeve deri në fund. “Ne kemi thënë se do të jemi në tavolinë të bisedimeve deri në fund – të fundit jemi që do të largohemi nga tavolina, besojmë në një marrëveshje politike”.
“Po presim tash”, shton ajo.
Deputetja Izmaku thotë se akoma nuk dihet se si do të veprojnë nëse VV-ja do ta dërgojë emrin e mandatarit për kryeministër të presidentja Vjosa Osmani, siç kanë paralajmëruar që do ta bëjnë pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm që do ta mbajnë të dielën.
“Nuk e kemi shqyrtuar, sepse nuk ka ndodhë si akt. Në momentin kur e shohim që është formalizu edhe ne ulemi si kryesi edhe e marrim një qëndrim, por derisa nuk e kanë formalizu, ne nuk kemi qëndrim të ri politik, jemi me qëndrimin e vjetër”, tregoi ajo.









