Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë se dialogu me Serbinë është në një gjendje të vështirë, derisa përmendi edhe disa kushte të cilat, sipas tij, do të bënin që të kthehej një atmosferë mirëbesimi minimale.

Këto kushte, Konjufca tha se janë që terroristët që kryen sulmin në Banjë të Zveçanit më 24 shtator 2023, të përfundojnë në burg dhe të tërhiqet letra e ish-Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç, drejtuar 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kundër Kosovës, kushte të cilat Kryeministri Albin Kurti i ka paraqitur tash e një kohë.

“Ku ndodhet dialogu sot? Dialogu sot ndodhet në një gjendje goxha të vështirë. Në një gjendje të vështirë për shkak të kësaj gjendje. Qysh kthehet njëfarë atmosfere minimale e mirëbesimit? Nuk po lypi diçka të jashtëzakonshme, por po them minimale, minimale e mirëbesimit, është që kryerësit e këtij aktit terrorist në Banjskë, të cilët e vranë Afrim Bunjakun, këta duhet me përfundu në burg”.

“Këta duhet me kanë prapa grilave. Këta nuk mund të jenë njerëzit kryesorë në Serbi edhe dora e djathtë e Vuçiç-it në Serbi qysh janë sot, edhe qysh i shohim sot qysh veprojnë në Serbi. Kjo është elementare. Kjo është diçka bazike”, tha Konjufca në një konferencë për media me Ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prevot.

“E dyta, Kryeministri e ka shpjeguar, letra ishte katastrofike për mirëbesim. Ju shkruajti 27 shteteve anëtare që nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës. Mos me e njohtë integritetin territorial të një shteti, kjo kuptohet gati sikur me i shpallë luftë. Është e të njëjtit nivel. Domethënë nuk të pranon që ekziston si integritet territorial”, shtoi ai.

Kryediplomati kosovar theksoi se këto çështje janë adresuar vazhdimisht me vazhdimisht me Bashkimin Evropian. “Pa u zgjidh këto, nuk mund të ketë, le të themi, hapa të mëtutjeshme”.