Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se janë shpallur projektet fituese për ndërtimin e “Memorialit Përkujtimor Adem Jashari”, i cili do të realizohet në kryeqytetin e Kosovës.
Sipas Ramës, koncepti i vlerësuar me vendin e parë nga komisioni profesional do të marrë jetë në Prishtinë, duke përfaqësuar peshën e madhe historike, kombëtare dhe emocionale që mbart figura e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, si dhe sakrifica e familjes Jashari.
Projekti fitues mban emrin “Zâni i Lirisë” dhe është konceptuar si një simbol i përhershëm i zërit të lirisë, që sfidoi frikën, pushtimin dhe vdekjen për t’i hapur rrugën lirisë së Kosovës.
“Në zemër të Kosovës, në Prishtinë, do të kumbojë përgjithmonë zëri i Komandantit Legjendar Adem Jashari”, ka shkruar Rama.
Memoriali është frymëzuar nga fjalët e njohura të Adem Jasharit: “Besa-besë, vetëm një vdekje se tjetër s’ka në këtë jetë. Edhe një fjalë e mirë.”










