Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, se po e pengon realizimin e një projekti prej 74 milionë eurosh për përmirësimin e shërbimeve të pastrimit në kryeqytet.

Sipas Musmuratit, Banka Zhvillimore Gjermane (KfW) e ka konfirmuar në një takim me të se ministri Murati ende nuk po e nënshkruan kredinë, ndonëse ajo ishte nënshkruar dy vjet më parë nga Qeveria e Kosovës dhe ajo gjermane.

Përmes Zyrës për Media, komuna ka bërë të ditur se nënshkrimi i kredisë do të mundësonte nisjen e projektit, i cili parasheh blerjen e mbi 100 kamionëve për mbledhjen e mbeturinave, 10 mijë kontejnerëve dhe ndërtimin e një qendre për riciklimin e mbeturinave për rajonin e Prishtinës.

Musmurati e ka akuzuar ministrin se po e mban peng projektin për arsye politike gjatë fjalës së saj në Kuvendin Komunal të premtën.

“Është e turpshme, e dhimbshme dhe qyqare që një ministër për inate politike të bllokojë pastrimin e Prishtinës”, ka thënë ajo.

Komuna e Prishtinës ka ngritur vazhdimisht pretendimet se projekti po pengohet nga niveli qendror, ndërsa kryeqyteti vazhdon të përballet me probleme të grumbullimit të mbeturinave në hapësira publike.