Qindra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në natën e 10-të të protestës “Jo në emrin tim”.

Ndonëse temperaturat kanë rënë dhe gjatë gjithë ditës ka pasur reshje shiu, qytetarët kanë dalë sërish në shesh për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

Njëri nga organizatorët e protestës, Çlirim Haziri, tha se tubimet do të vazhdojnë “në borë e në shi”, ndërsa kërkoi ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Do të vazhdojmë, në borë e në shi, të kërkojmë përgjigje me çdo rrugë demokratike që na takon si qytetarë të këtij vendi. Nuk po kërkojmë favore, procedojeni ligjin, votojeni.

Secili të mbajë përgjegjësi për votën e vet, do të mbani përgjegjësi para gjakut të dëshmorëve. Po bie shi, por sheshi nuk është bosh, kjo është përgjigjja jonë. Shihemi këtu përsëri për çdo ditë e çdo natë, do të shihemi deri në realizimin e kërkesave tona.

Të organizohemi fort për 1 tetor, për marshin e madh me moton ‘Jo në emrin tim’”, tha ai.

Gjatë ditës, mijëra qytetarë kanë protestuar edhe në qytete të ndryshme të Kosovës, përfshirë Skenderajn, Drenasin, Mitrovicën, Gjilanin, Vushtrrinë, Prizrenin, Deçanin, Kamenicën dhe Podujevën.

Ndërkohë, në ditët në vazhdim janë paralajmëruar protesta edhe në qytete të ndryshme të Evropës.