Demokrati Abdul El-Sayed, ka mposhtur republikanin Mike Rogers në një fushatë të ashpër për vendin e lirë në Senatin amerikan nga shteti i Michiganit. Kjo fitore përbën një sukses të rëndësishëm për krahun e majtë të Partisë Demokratike në një prej shteteve më të rëndësishme ku gara mes dy partive është zakonisht e ngushtë, shkruan Associated Press.
El-Sayed, djali i emigrantëve egjiptianë, do të bëhet senatori i parë mysliman në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ish-zyrtari i shëndetit publik, i cili nuk ka mbajtur asnjëherë një post të fituar përmes zgjedhjeve, arriti të kalojë nga një humbje me diferencë dyshifrore në zgjedhjet paraprake të demokratëve për guvernator të Michiganit, tetë vjet më parë, deri te fitorja e një ulëseje në Senatin amerikan.
“Ju rrezikuat duke më besuar mua, kandidatit që kishte më pak gjasa për të fituar”, u tha El-Sayed mbështetësve të mbledhur në Detroit, në orët e para të së mërkurës, teksa shpalli fitoren. “Faleminderit. E gjithë kjo është e juaja”.
El-Sayed arriti të përballojë shpenzimet masive të aktorëve të jashtëm, si në zgjedhjet paraprake të demokratëve, ashtu edhe në zgjedhjet e përgjithshme, përmes një fushate të mbështetur te aktivizmi qytetar, me zotime për kujdes shëndetësor universal dhe kritika të ashpra ndaj Izraelit.
I mbështetur nga figura progresiste, përfshirë kongresisten Alexandria Ocasio-Cortez, fitorja e tij mund t’i japë hov kësaj lëvizjeje përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028, duke dëshmuar se kandidatët që përqafojnë agjendën e saj mund të fitojnë edhe në shtetet vendimtare elektorale. Demokratët në mbarë vendin siguruan fitore të gjera, duke triumfuar në shtetet ku gara ishte e ngushtë, ashtu edhe në ato tradicionalisht republikane, për të marrë kontrollin e të dy dhomave të Kongresit.
Republikanët kishin shmangur garat e brendshme për t’i hapur rrugë Rogersit, ish-kongresistit që dy vjet më parë kishte humbur me një diferencë të ngushtë garën për Senat ndaj kongresistes së atëhershme, Elissa Slotkin. Megjithatë, Rogers pati vështirësi të balanconte besnikërinë ndaj Presidentit Donald Trump me shqetësimet për rritjen e çmimeve, të lidhura me luftën në Iran, dhe trazirat ekonomike të shkaktuara nga tarifat doganore të presidentit.
Fushata u karakterizua gjithashtu nga sulme të ashpra lidhur me kritikat e El-Sayed ndaj Izraelit. Trump dhe republikanë të tjerë u përpoqën vazhdimisht ta lidhnin atë me organizata terroriste, ndonëse nuk kishte asnjë dëshmi për lidhje të tilla, si dhe vunë në pikëpyetje besnikërinë e tij ndaj Shteteve të Bashkuara.
Në fjalimin e fitores, El-Sayed tha se republikanët “u angazhuan plotësisht në një prej fushatave më të shëmtuara që kemi parë gjatë jetës sonë”.
“Ata mund të kenë vënë në shënjestër emrin dhe besimin tim, por të gjithë e dimë se emri dhe besimi im nuk janë arsyeja pse ju nuk mund ta përballoni karburantin”, tha ai.
Gara u shndërrua në një nga pikat kryesore të betejës kombëtare për kontrollin e Senatit, pasi senatori demokrat Gary Peters, i cili kishte shërbyer për dy mandate, vendosi të mos rikandidojë.
El-Sayed doli fitues nga zgjedhjet paraprake të gushtit, të karakterizuara nga përplasje të ashpra me kongresisten Haley Stevens, e cila mbështetej nga establishmenti partiak. Në këtë garë u shpenzuan afro 60 milionë dollarë nga aktorë të jashtëm.
Komiteti Amerikan për Çështjet Publike të Izraelit (AIPAC) shpenzoi afro 30 milionë dollarë kundër El-Sayed, investimi më i madh që kishte bërë ndonjëherë në një garë të vetme. El-Sayed ka qenë kritik i vendosur i Izraelit.
Zgjedhjet paraprake nxorën në pah ndarjet brenda koalicionit demokrat. El-Sayed u përball me kritika nga disa pjesëtarë të komunitetit hebraik në Michigan për retorikën e tij, përfshirë deklaratën “njerëzit e lënduar lëndojnë të tjerët”, të cilën e bëri pas një sulmi ndaj një sinagoge në Michigan në fillim të këtij viti. Më vonë, ai kërkoi falje, duke thënë se i vinte keq për “këdo që mendon se komentet e mia mund të kenë qenë lënduese”.
Edhe paraqitjet e tij në fushatë me Hasan Pikerin, një transmetues i njohur i përmbajtjeve politike në internet, i cili ka bërë komente provokuese për Izraelin, hebrenjtë dhe sulmet e 11 shtatorit, u shndërruan në objekt kritikash.
Përplasjet arritën kulmin dy ditë para zgjedhjeve, kur Stevens i dha mbështetjen Rogersit, pasi u shfaq me të në një kishë. Ajo tha se El-Sayed nuk kishte bërë mjaftueshëm për t’iu përgjigjur shqetësimeve të disa komuniteteve.
Disa demokratë shprehën shqetësimin se El-Sayed mund të mos arrinte të siguronte pjesëmarrje të mjaftueshme të votuesve me ngjyrë në Detroit, pasi Stevens kishte fituar në qarkun Ëayne gjatë zgjedhjeve paraprake. Ish-presidenti Barack Obama dhe ish-nënpresidentja Kamala Harris ishin ndër demokratët e njohur që zhvilluan fushatë me El-Sayed në këtë qytet, në përpjekje për të mobilizuar votuesit.
El-Sayed zhvilloi fushatë mbi një platformë hapur progresiste, e cila kishte shkaktuar shqetësime te disa demokratë të moderuar. Në qendër të programit të tij ishte “Sigurim shëndetësor për të gjithë”, një propozim që synon zëvendësimin e sistemit aktual të sigurimeve shëndetësore private dhe publike me një sistem të vetëm, të financuar dhe administruar nga qeveria.
Senatori i pavarur Bernie Sanders ndihmoi në krijimin e hovshëm të mbështetjes për El-Sayed në fillim të fushatës, ndërsa Ocasio-Cortez iu bashkua atij në ditët e fundit të fushatës në Gadishullin e Epërm të Michiganit dhe në zonën e Detroitit.
Kjo fitore do t’u japë progresistëve një argument të fuqishëm përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028: se agjenda e tyre mund të fitojë edhe në shtetet më konkurruese elektoral të vendit.
Republikanët vendosën ta rikthenin Rogersin në garë, pas humbjes së tij tepër të ngushtë në vitin 2024, kur Slotkin fitoi, ndonëse Trump e kishte fituar Michiganin me më shumë se një pikë përqindjeje.
Rogers, i cili më parë kishte qenë komentator në CNN dhe kishte kritikuar Trumpin, vitet e fundit ishte afruar më shumë me presidentin.
Ai u përpoq të zgjeronte mbështetjen mes demokratëve dhe votuesve të pavarur, veçanërisht në mesin e votuesve me ngjyrë dhe hebrenjve.
Por situata politike i solli një sfidë të re kandidatit republikan. Rogers, i cili kishte drejtuar Komitetin e Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve dhe e kishte ndërtuar një pjesë të madhe të karrierës mbi çështjet e sigurisë kombëtare, u detyrua të përballej me çmimet e larta të karburantit dhe një luftë jopopullore me Iranin, ndërkohë që duhej të ruante afërsinë politike me Trumpin.
“Lufta me Iranin duhet të përfundojë, dhe atë sa më shpejt”, kishte shkruar Rogers në rrjetet sociale në shtator.
El-Sayed e shijoi fitoren e tij, duke i thënë republikanit që ta shijonte “pensionimin”.
“Ju zgjodhët urrejtjen, ndërsa Michigan zgjodhi shpresën”, tha El-Sayed. “Uroj që të mos na duhet të shohim më kurrë njerëz si ju në këtë shtet”.









