Koalicioni VLEN, i cili përbëhet nga disa subjekte politike shqiptare në Maqedoni, të cilat përfaqësojnë shqiptarët në Qeverinë maqedonase, do të shkrihet në një parti të vetme në kongresin që do të mbahet më 9 maj, ka bërë me dije Bilall Kasami, Kryetar i Tetovës dhe një nga liderët e VLEN-it.

“Vazhdon grupi i punës për koordinimet e aktiviteteve për përgatitje të kongresit të parë i cili është dakorduar që të mbahet më 9 maj. Në këtë fazë grupi i punës punon për përgatitjen e programit, platformës dhe të statutit të partisë ku do të jenë të përcaktuara të gjitha parimet bazë të funksionimit të VLEN-it në periudhën që vjen”, tha Kasami në një prononcim për mediat të martën.

Ai tregoi edhe strukturën organizative të VLEN-it si një subjekt i vetëm. Do të ketë dy kryetarë.

“Dakordimi fillestar është që VLEN të funksionojë me dy bashkëkryetarë, të ketë dy nënkryetarë, të ketë sekretar gjeneral dhe sigurisht pastaj edhe organet tjera siç janë sekretariatet dhe gjithë ajo duhet për organizimin e një partie politike”, deklaroi Kasami.

VLEN përbëhet nga Lëvizja Besa e Kasamit, Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, Alternativa e Zeqirja Ibrahimit dhe një pjesë e Aleancës për Shqiptarët.

Këto parti kishin bërë koalicion për zgjedhjet parlamentare të prillit 2024. Në kampin shqiptar, VLEN nuk kishte arritur që t’i fitojë zgjedhjet, pasi që ishte renditur prapa Bashkimit Demokratik për Integrim tw Ali Ahmetit.

Por, përkundër kësaj, ata u bënë pjesë e Qeverisë së drejtuar nga Hristjan Mickoski i VMRO-DPMNE-së, duke shkelur kështu traditën që fituese në kapin shqiptar bëhet pjesë e Qeverisë me fituesin në kapin maqedonas.

Gjatë kohës kur VLEN është në Qeveri, ka pasur vazhdimisht kritika ndaj ekzekutivit të Mickoski-t për qasje antishqiptare.

Të hënën, në sheshin e Shkupit u mbajt edhe një protestë nga studentët shqiptarë, të cilët kërkuan që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Ata kërkuan që të ndalet diskriminimi institucional dhe të zbatohet Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, duke u thirrur në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.