Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u ka dërguar një mesazh të brendshëm strukturave të partisë, duke i ftuar në një takim të përbashkët nesër në orën 14:00, në Selinë e LDK-së.
Në mesazhin drejtuar anëtarëve të partisë, Abdixhiku kërkon që diskutimet dhe qëndrimet politike të mbahen brenda organeve të LDK-së.
“Ju ftoj për takim të përbashkët, nesër, në ora 14:00, në Selinë e LDK-së. Ju lus, po ashtu, që qëndrimet dhe diskutimet t’i mbajmë brenda organeve të partisë, duke respektuar rendin dhe përgjegjësinë tonë partiake”, thuhet në mesazhin e tij.
Abdixhiku thekson se LDK-ja duhet të flasë me një zë, pasi çështjet të diskutohen dhe të dakordohen brenda partisë.
“Në këto kohë të rëndësishme për vendin, është e domosdoshme që LDK të flasë me një zë; pasi t’i ketë diskutuar çështjet, peshuar me kujdes dhe dakorduar plotësisht qëndrimet e saj”, shkruan ai.
Në fund, Abdixhiku u ka bërë thirrje bashkëpartiakëve që nesër të diskutojnë hapur dhe të përcaktojnë së bashku rrugën përpara.
“Nesër takohemi, diskutojmë hapur dhe përcaktojmë së bashku rrugën përpara. Shihemi, Lumiri”, përfundon mesazhi.









