Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka bërë të ditur se Serbia dhe Shqipëria kanë arritur një marrëveshje në parim për hapjen e përfaqësive konsullore në Shkodër dhe Bujanoc.
Në një intervistë për Radio Beogradin, Gjuriq tha se për këtë është dakorduar gjatë takimit me ministrin e ri të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha.
“Jam i kënaqur që pata bisedime shumë të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc”, deklaroi ai.
Bujanoci, së bashku me Preshevën dhe Medvegjën, përbën rajonin e njohur si Lugina e Preshevës, ku jeton komuniteti më i madh i shqiptarëve etnikë në Serbi, jashtë Kosovës.
Sipas regjistrimit zyrtar të popullsisë në Serbi të vitit 2022, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë jetojnë 57.710 shqiptarë me banim të përhershëm, të cilët përbëjnë rreth 71 për qind të popullsisë së rajonit. Megjithatë, përfaqësues politikë dhe organizata shqiptare në Luginën e Preshevës i kanë kundërshtuar këto shifra, duke argumentuar se numri real i shqiptarëve është dukshëm më i lartë për shkak të pasivizimit të adresave të mijëra qytetarëve.
Sipas organizatës Youth Initiative for Human Rights (YIHR), janë dokumentuar të paktën 5.500 deri në 6.000 raste të verifikuara të pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi, ndërsa përfaqësuesit lokalë pretendojnë se numri real është edhe më i madh.
Në anën tjetër, regjistrimi i popullsisë në Shqipëri i vitit 2023 tregon se në Shkodër janë deklaruar 584 persona me përkatësi etnike serbe dhe 511 me përkatësi malazeze.
Hapja e një konsullate shqiptare në Bujanoc do të ishte për herë të parë një përfaqësim i tillë diplomatik në Luginën e Preshevës, rajon ku jeton shumica e shqiptarëve në Serbi jashtë territorit të Kosovës.









