Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se projekti i propozuar për lagjen Ulpiana nuk do të vazhdojë nëse nuk merr mbështetjen e banorëve.
Përmes një sqarimi publik, Rama ka thënë se fontana dhe hapësira përreth saj nuk do të preken dhe se ajo do të mbetet në vendin ku ka qenë gjithmonë.
Ai ka bërë të ditur se parkingu është paraparë të ndërtohet nën tokë, nën zonën e fontanës, ndërsa hapësirat ku aktualisht parkohen veturat do t’u ktheheshin banorëve me më shumë gjelbërim dhe fusha sportive.
Rama ka sqaruar se objekti i akomodimit është vetëm propozim dhe lidhet me nevojën për strehimin e sportistëve dhe stafit shoqërues gjatë Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, pasi, sipas tij, konviktet nuk kanë kapacitet për të gjithë.
Ai ka thënë se objekti nuk do të kishte destinim komercial dhe se pas Lojërave hapësira do të mbetej në shërbim të banorëve.
“Fillimisht e diskutojmë me juve! Pastaj, nëse ka mbështetje, propozimi shkon për votim në Kuvendin Komunal, te përfaqësuesit që i keni zgjedhë ju!”, ka shkruar Rama.
“ Krejt kjo është propozim. Nëse banorët e Ulpianës nuk e duan, nuk ecim përpara”, ka theksuar ai.









