“Kosova duhet t’i përshpejtojë reformat dhe të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë”, kanë thënë nga Parlamenti Evropian (PE).
Përmes një postimi në platformën X, nga PE kanë bërë thirrje për Qeveri dhe legjislativ funksional.
“Parlamenti bën thirrje për një legjislativ dhe një qeveri funksionale, me qëllim të avancimit të reformave që lidhen me Bashkimin Evropian dhe mbështetjen e rrugës së Kosovës drejt BE-së si një vend kandidat potencial”, thuhet aty.
Kosova dhe Serbia, përkatësisht Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin amerikano-evropian, kishin arritur një Marrëveshje, fillimisht në Bruksel më 27 shkurt 2023 dhe më pas për Aneksin e Zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars 2023.
Ujdia mes dy vendeve fqinje përmbante 11 nene, përmes të cilave Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian konsideronin se kanë gjetur zgjidhjen.
Pos tjerash, Kosova kishte pranuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ishte pajtuar edhe për një status special për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.
Serbia në anën tjetër ishte pajtuar që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Si tërësi, kishte pranuar njëfarë njohje de-facto të shtetësisë së Kosovës.
Por, kur kanë kaluar tri vjet nga kjo marrëveshje, zbatimi i saj nuk duket askund, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare.









