Dy shtëpi janë bastisur në dy operacione të ndara në Zubin Potok dhe në Leposaviq. Aty janë konfiskuar disa armë, uniforma e një kapelë ushtarake.
Në fshatin Mikinic të Leposaviqit, Policia e Kosovës ka konfiskuar dy këmisha me emblema të policisë serbe dhe një jelek të ushtrisë serbe.
“Në shtëpinë e të dyshuarit, mashkull kosovar, janë gjetur dhe konfiskuar: një AK-47, 55 fishekë, një bajonetë, një predhë fisheku, dy këmisha me emblema të policisë serbe dhe një jelek i ushtrisë serbe”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
I dyshuari potencohet se është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.
Bastisje ka pasur edhe në fshatin Orashak të Zubin Potokut.
“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, mashkull kosovar, i cili gjendet jashtë shtetit (kontrolli është bërë në prani të dëshmitarit – një të afërmi të të dyshuarit), si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë M-48, uniforma ushtarake me emblema ‘katër C’, si dhe një kapelë ushtarake”, thuhet në njoftim.
Siç njoftohet, rasti është në procedurë hetimore.









