Veterani i UÇK-së, Agim Pllashniku, që u përjashtua nga puna nga ndërmarrja publike “Ibër-Lepenc” po pretendon se është demoluar zyra e tij aty. Në një rrëfim për VOX Kosova, ai tregon se personat që e kryen një akt të tillë, shqyen edhe kalendaret dhe gjësendet e tij personale përfshirë edhe fotografitë familjare.
“Kur jam hy në zyre aty, e kom pa zyrën se krejt zyra me fotografi personale të miat, me ato të UÇK-së, me kalendarin që e kam pasë të veteranëve të luftës është shqy, është gju nëpër tokë, dysheme, të gjitha. Garderoba ime që ka qenë në një orman, kam pasë garderobë unë që shihet edhe në fotografi që pesë vjet e kam garderobën aty, edhe të gjitha nëpër dysheme i kam gjetë”, thotë Pllashniku.
“Librat e fëmijëve, se fëmijët e mi edhe shkruajnë, i kam gjetë nëpër tokë. Një libër të presidentit Hashim Thaçi e kam gjetë në dysheme. E kam gjetë fotografinë e UÇK-së, emblemën e UÇK-së të kthyme mbrapsht domethënë”, shton ai.
Pllashniku ishte përjashtuar nga puna në “Ibër – Lepenc” që drejtohet nga Faruk Mujka i VV-së, ndonëse aty ishte punëtor 15 vjet. Largimi i tij erdhi pas disa aksioneve simbolike që ai ndërmorri ndaj deputetes së pushtetit, Fitore Pacolli. VOX Kosova kishte raportuar se si bashkëshorti i Pacollit, Ilir Dalipi kishte përfituar 52 mijë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në një skemë që favorizon familjarë të pushtetarëve.