Në Podujevë, qyteti që për shumë vite u njoh si bastioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, gara për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 pritet të jenë ndër më të fortat në vend.

Që prej përmbysjes së madhe të vitit 2020, kur Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes e rrëzoi pas 20 vitesh dominimin e LDK-së, qyteti ka hyrë në një periudhë të re politike ku çdo votë mund të bëjë diferencën.

Kësaj radhe, në garë janë Shpejtim Bulliqi i VV-së, Ekrem Hyseni i LDK-së, Isak Shabani i PDK-së dhe Xhemajl Hasani i Nismës.

Gara kryesore në Podujevë do të zhvillohet në mes të Bulliqit dhe Hysenit.

Zgjedhjet e vitit 2007: bastioni i pathyeshëm i LDK-së

Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, LDK për pak sa nuk fitoi pa balotazh. Ajo mori 15 mijë e 8 vota (49.10%), ndërsa PDK, që u rendit parti e dytë, grumbulloi 11 mijë e 78 vota (36.24%), kurse AKR si parti e tretë mori 2 mijë e 25 vota (6.62%)

Në balotazhin e 8 dhjetorit 2007, Ilaz Pireva (LDK) mposhti Muhamet Latifin (PDK): Pireva fitoi me 12 mijë e 483 vota (54.00%), ndërsa Latifi mori 10 mijë e 634 vota (46.00%)

Ky rezultat rikonfirmoi Podujevën si bastion të padiskutueshëm të LDK-së.

2009: LDK e ruan Podujevën me Agim Veliun

Cikli zgjedhjeve lokale të 2009-ës konfirmoi dominimin e LDK-së. Agim Veliu (LDK) kryesoi raundin e parë me 16 mijë e 865 vota (49.93%), ndërsa Muhamet Latifi (PDK) mori 10 mijë e 339 vota (30.61%) dhe Ismet Abdullahu (AAK) 3 mijë e 942 vota (11.67%)

Në raundin e dytë, Veliu fitoi bindshëm me 17 mijë e 947 vota (66.18%), kundrejt 9 mijë e 170 votave (33.82%) të Latifit

Zgjedhjet e 2009: Podujeva mbetet bastion i padiskutueshëm i LDK-së

Në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009, LDK fitoi në raundin e parë. Agim Veliu u rikonfirmua si kryetar. Ai mori 19 mijë e 871 vota, apo 50.16%. I dyti ishte Naim Fetahu i PDK-së me 15 mijë e 321 vota, apo 38.68 për qind, ndërsa i treti u rendit Xhemshit Vokrri i VV-së, me 1 mijë e 759 vota, apo 4.4 për qind.

2020: Përmbysja e madhe, VV fiton në Podujevë

Në Podujevë ishin mbajtur zgjedhje të jashtzakonshme më 29 nëntor 2020. Kjo pasi që Kryetari Agim Veliu kishte dhënë dorëheqje për të marrë pozitën e Ministrit të Punëve të Brendshme.

Në këto zgjedhje, Vetëvendosja rrëzoi bastionin e LDK-së – për herë të marë në histori – dhe atë pa balotazh. Shpejtim Bulliqi i VV-së mori 18 mijë e 286 vota apo 51.9 për qind, LDK-ja që deri në këtë kohë kishte udhëhequr me këtë komunë, me kandidat Nexhmi Rudarin grumbulloi 12 mijë e 627 vota apo 35.8 për qind, ndërsa e treta u rendit PDK-ja, që kishte kandidat Naim Fetahun, i cili arkëtoi 4 mijë e 341 vota apo 12.3 për qind.

2021: Rikonfirmimi i Bulliqit

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021, në Podujevë pati garë të fortë. Në raundin e parë, Ekrem Hyseni (LDK) mori 16 mijë e 925 vota (44.20%), shumë pranë Shpejtim Bulliqit (VV) me 16 mijë e 907 vota (44.16%), ndërsa Floretë Zejnullahu (PDK) u rendit e treta me 2 mijë e 471 vota (6.45%)

Balotazhi e përmbysi avantazhin fillestar të LDK-së: Shpejtim Bulliqi fitoi me 20 mijë e 788 vota (52.06%), ndërsa Ekrem Hyseni mori 19 mijë e 141 vota (47.94%)

Kjoishte fitorja e dytë e Vetëvendosjes në Podujevë.

2025: rikthim apo rikonfirmim?

Gara kryesore të dielën zhvillohet në mes të Bulliqit të VV-së dhe Hysenit të VV-së. Bulliqi, që ka një epërsi duke qenë kryetar, kërkon rikonfirmimin, ndërsa Hyseni kërkon rikthimin e LDK-së në drejtimin e qytetit që dikush ishte bastion i padiskutueshëm i kësaj partie. Kandidatët e partive të tjera janë pa ndonjë gjasë reale në garë.