Një nga garat më interesante të këtyre zgjedhjeve lokale ishte ajo në qytetin e Kaçanikut, qytet në të cilin një Vetëvendosje gjithnjë e në rritje nuk po arrin ta thyejë bastionin e Partisë Demokratike të Kosovës.

PDK udhëheq me këtë komunë që nga viti 2007, kur në rundin e dytë, asokohe, kandidati i kësaj komune Xhabir Zharku mposhti Hebib Shehun e LDK-së, duke grumbulluar 74.59% të votave.

Që atëherë, PDK ka fituar zgjedhjet lokale e vitit 2013 me Besim Ilazin, i cili vazhdoi punën e tij si kryetar edhe pas zgjedhjeve të vitit 2017 e atyre të vitit 2021.

Ndërkaq, Vetëvendosje i hyri garës për Kaçanik në vitin 2013 me kandidaten Afide Kuka, e cila, si e katërta në garë, mori vetëm 1 mijë e 179 vota apo 7.70%. Por, ky përfaqësim për Vetëvendosjen ka shkuar duke u ngritur gjithnjë e më shumë. Në vitin 2017, Basri Kodra mori 3 mijë e 349 vota në rundin e parë e këto i rriti në 5 mijë e 609 në rundin e dytë. Këto u rritën edhe më shumë në vitin 2021, kur Jeton Raka mori 6 mijë e 304 vota, megjithëse humbi kundër Besim Ilazit pa balotazh.

Zgjedhjet e këtij viti i afruan këto parti edhe më shumë. Në rundin e parë, diferenca mes kandidatit të ri të PDK-së, Sabedin Vishajt, dhe të rikthyerit të VV-së, Jeton Rakajt, ishte vetëm 287 vota, me 6 mijë e 827 dhe 6 mijë e 540 vota respektivisht.

Megjithatë, PDK nuk u thye as kësaj radhe. Në rundin e dytë, Vishaj i PDK-së mori 7 mijë e 548 vota apo 51.86%, duke e mposhtur Rakajn që mori vetëm 7 mijë e 6 vota apo 48.14%, e duke e rikonfimuar kështu edhe një herë Kaçanikun si bastion të PDK-së.