Organizata e Veteranëve të Dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në protestën kundër Gjykatës Speciale, e cila do të mbahet në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë, te sheshi “Skënderbeu”.
OVL-UÇK ka publikuar në Facebook një video me moton “Bashkohuni, shqiptarë”.
Protesta në kryeqytetin e Shqipërisë mbahet pas atyre që u organizuan në Prishtinë dhe në Hagë, ku dhjetëra mijëra njerëz protestuan kundër Gjykatës Speciale dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Që nga 5 nëntori i 2020-së, në qendrën e paraburgimit në Hagë ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të akuzuar nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe kundër njerëzimit.









