BASHKËSHORTJA PËR UDHËTIME Rita e shoqëron Kurtin në udhëtimet zyrtare, por jo në aktivitetet në Kosovë
Rita Augestad Knudsen, bashkëshortja e kryeministrit Albin Kurti, rrallë shfaqet në jetën publike në Kosovë, por e shoqëron atë në shumicën e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit. Nga Parisi e Greqia deri në New York, ajo është parë përkrah Kurtit në forume, ceremoni dhe takime të rëndësishme ndërkombëtare.
Të rralla janë momentet dhe ditët kur Rita Augestad Knudsen, bashkëshortja e kryeministrit Albin Kurti, shihet në Kosovë.
Disa ditë gjatë fushatës, ditën e votimit dhe natën e shpalljes së rezultateve janë rastet e vetme kur ajo është parë në vendin që bashkëshorti i saj e qeveris tash e gjashtë vjet.
Asnjë iniciativë për çështje të barazisë gjinore, shëndetësisë, arsimit apo edhe ekonomisë nuk e ka nxitur atë të përfshihet në jetën publike në Kosovë.
Kur ajo shfaqet përkrah Kurtit, kjo ndodh kryesisht gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit.
Së fundmi, ajo po e shoqëron kryeministrin në një vizitë në Francë, më saktësisht në Paris.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Paris, më 9 nëntor 2026, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Rita Augestad Knudsen.
Qyteti i modës duket se është ndër destinacionet e saj të preferuara.
Në çdo vizitë që Albin Kurti ka zhvilluar atje, qoftë në takimet me presidentin Emmanuel Macron, në kokteje apo në darka zyrtare, Rita ka qenë e pranishme.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti (i dyti nga e djathta), dhe bashkëshortja e tij, Rita Augestad Knudsen (e dyta nga e majta), pozojnë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron (majtas), dhe bashkëshorten e tij, Brigitte (djathtas), pas mbërritjes në një darkë të organizuar për pjesëmarrësit e edicionit të tetë të Forumit të Paqes në Paris, në Pallatin Élysée, më 29 tetor 2025.
Pesë herë ajo është parë përkrah Kurtit në ngjarje të rëndësishme në Francë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe bashkëshortja e tij, Rita Augestad Kurti, priten nga presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, në Pallatin Élysée, me rastin e ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Paris 2024, më 26 korrik 2024.
Në vitet 2021, 2022 dhe 2023, ajo ishte e pranishme në kuadër të Forumit të Paqes në Paris.
Në vitin 2024, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, ndërsa në vitin 2025 u rikthye sërish në Paris për Forumin e Paqes.
Mbërritja e pjesëmarrësve në darkën e Forumit të Paqes në Paris dhe e liderëve që morën pjesë në konferencën ndërkombëtare për ndihmën humanitare në Gaza, në Pallatin Presidencial Élysée.Nga e majta në të djathtë: Rita Augestad Knudsen, bashkëshortja e kryeministrit të Kosovës; Emmanuel Macron, president i Republikës Franceze; Albin Kurti, kryeministër i Kosovës; dhe Brigitte Macron, bashkëshortja e presidentit francez. Paris, Francë, 9 nëntor 2023Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe bashkëshortja e tij, Rita, mbërrijnë në Pallatin Élysée në Paris, Francë, për darkën përmbyllëse të Forumit të Paqes në Paris, më 11 nëntor 2022.Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron, pozojnë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe bashkëshorten e tij, Rita Augestad Knudsen, gjatë pjesëmarrjes në një darkë të organizuar në ditën e parë të Forumit të Paqes në Paris, në Pallatin Élysée, Paris, Francë, më 11 nëntor 2021.
Një nga rastet e tjera kur ajo e shoqëroi Kurtin jashtë vendit ishte edhe vizita në Greqi, ku u pa në bregdet, në kuadër të një simpoziumi ku merrnin pjesë edhe politikanë spanjollë e grekë, vende që historikisht kanë mbajtur qëndrime kundër njohjes së Kosovës.
Rita nuk mungoi as në udhëtimin zyrtar të Kurtit në SHBA, respektivisht në New York, ku kryeministri i Kosovës realizoi për herë të parë një fotografi me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.