Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi sot kanë dalë para Gjykatës, ku edhe kësaj here janë deklaruar të pafajshëm.
Të dy këta akuzohen se kanë kryer veprën penale “Spiunazhi”, duke bashkëpunuar kështu me Agjencinë e Inteligjencës së Serbisë, e njohur si BIA.
Bedri Shabani, specifikisht, akuzohet se ka mbledhur dhe ka dërguar informacione për UÇK-në, por edhe dyshohet se kishte tentuar të ndryshonte narracionet për Spitalin Ushtarak të UÇK-së në Mollopolc të Shtimes dhe masakrën e Reçakut.
Pikërisht për të, Geopost kishte publikuar një audio-incizim ku dëgjohet duke biseduar me Srdjan Rosiqin (Srdjan Rosiq gjatë viteve ’90-ta ka jetuar në Ferizaj, derisa ishte i angazhuar si oficer në shërbimin sekret serb).
Megjithëse audioja në disa pjesë është e censuruar, aty kuptohet qartë se Bedri Shabani, i dyshuar për bashkëpunim me shërbimin serb të inteligjencës, kërkon që BIA t’i ndihmojë atij dhe njerëzve të tij që ta kryejnë një punë.
Në një pjesë të audio-incizimit, Shabani i drejtohej agjentit të BIA-s, duke i thënë se nuk kishin bërë punë të mirë, duke nënkuptuar sulmin terrorist të Banjskës në shtator të vitit 2023.









