Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dhënë shenja për bashkëpunim pas zgjedhjeve të 7 qershorit, por thotë se nga kjo parti ka parë njollosje, siç thekson ajo, “të përmasave çnjerëzore” ndaj saj.
“Thirrja ime është për një lloj bashkëpunimi të tillë. Sa do ta gjejmë atë në anën tjetër është komplet çështje që varet prej palës tjetër. Deri tani nuk është që kanë treguar shenja të tilla. Deri tani kemi marrë njollosje të përmasave çnjerëzore, krahasim me kafshë, dehumanizim total të secilit prej nesh. Natyrisht shumica e goditjeve janë kundër meje”, tha Osmani në RTV1, pasi që u pyet nëse është e mundshme që të bashkëpunohet me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Bartësja e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës theksoi se është pikërisht Vetëvendosja ajo që e ka prishur bashkëpunimin me të, duke iu referuar faktit që nuk e kandiduan edhe për një mandat në krye të shtetit.
“Janë ata që kanë vendosur të mos më përkrahin për një mandat të dytë për Presidente. Janë ata që kanë vendosur ta prishin këtë bashkëpunim. Janë ata që kanë vendosur ta shkatërrojnë binomin që kishte krijuar shpresë para syve të qytetarëve. Janë ata që nuk kanë dashur një lloj bashkëpunimi ku do të punonim edhe në Kosovë, po edhe në fuqizimin e Kosovës jashtë vendit”, deklaroi Osmani.
Osmani theksoi se ka “dashur që ky bashkëpunim të vazhdojë”, por pohon se “e kanë refuzuar”. “Kështu që është rruga që e kanë zgjedh ata vetë”, shtoi ajo.
Këto deklarata i bëri pasi që u pyet nëse e mendon bashkëpunimin me Kurtin dhe partinë që ai drejton pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ku tha se për të vetëm Lista Serbe ka vija të kuqe.
“Pas 7 qershorit e vetmja parti politike që ka vijë të kuqe bashkëpunimi është Lista Serbe dhe kjo është konkretisht për shkak të pjesëmarrjes së tyre në akte agresioni kundër Republikës së Kosovës në shkeljen e rendit kushtetues dhe në rrezikimin e jetës së qytetarëve tanë”.
“Kjo është një parti politike e cila nuk e njeh Republikën e Kosovës. Të gjithë të tjerët që e njohin Republikën tonë dhe që e shohin bashkëpunimin si pjesë të rëndësishme të vizionit tonë të përbashkët për Republikën natyrisht që ne do të ulemi të flasim”.
Bashkëpunimin me partitë shqiptare pas zgjedhjeve, Osmani deklaroi se e sheh si të domosdoshëm për çështjen e Presidentit.
“Natyrisht që ne e shohim bashkëpunimin me të gjitha partitë politike shqiptare si të domosdoshëm për të arritur kuorumin e nevojshëm prej 80 votave dhe pastaj votat e nevojshme për zgjedhjen e Presidentit. Natyrisht që askush nuk do t’i ketë 80 vota pas këtyre zgjedhjeve, pra është e domosdoshme që të ketë komunikim, të ketë bashkëpunim”, potencoi ajo ndër të tjera.
Ajo çka e bën të vështirë situatën, thotë Osmani, “është fushata linçuese, propagandistike që është e paprecedentë që po bëhet nga partia në pushtet kundër meje, që është çnjerëzore”. “Por megjithatë ne duhet të vëmë Republikën dhe interesin e qytetarëve mbi gjithçka tjetër dhe të gjejmë rrugë të bashkëpunimit, të cilat na shpien tek ndërtimi i institucioneve, jo tek rrënimi i tyre”.









