Konfirmimin për mbështetjen ndaj PDK-së e dha tashmë edhe Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj.
Sipas njoftimit të Limajt, ky bashkëpunim nuk është vetëm mbështetje por një bashkëpunim ndërmjet këtyre partive për disa arsye specifike të cilat i ka rënditur Kryetari i NISMA-s.
“Mbështetja për këtë bashkëpunim është edhe mbështetje për vlerat e luftës çlirimtare, për idealin e UÇK-së dhe për bashkëluftëtarët tanë që sot padrejtësisht po përballen me Gjykatën Speciale në Hagë, duke mbrojtur me dinjitet, krenari dhe vendosmëri luftën e drejtë të popullit tonë për liri. Kosova ka nevojë për më shumë bashkëpunim, maturi dhe njerëz që interesin e qytetarëve dhe të shtetit e vendosin mbi çdo interes tjetër”, shkroi Fatmir Limaj në Facebook.
Ai tha se beson se “ky është një hap i rëndësishëm drejt bashkimit të forcave politike që ndajnë të njëjtin vizion për të ardhmen e Kosovës dhe për ndërtimin e një qeverisjeje stabile, funksionale dhe me vizion afatgjatë”.
Limaj këtë bashkëpunim e ka quajtur strategjik politik, elektoral, qeverisës dhe organizativ.
“Gjithashtu, jemi dakorduar që në periudhën në vazhdim të ndërtojmë një proces të koordinuar bashkëpunimi dhe integrimi politik, me synimin që ky partneritet afatgjatë t’i shërbejë stabilitetit institucional, zhvillimit ekonomik, forcimit të shtetit dhe funksionimit më efikas të institucioneve të Republikës së Kosovës”, shtoi Limaj.









