Tifogrupet e Kosovës bashkohen për protestën e së dielës: “BASHKË PËR UÇK”
Të gjitha tifogrupet në Kosovë pritet të mblidhen së bashku të dielën në Prishtinë, në protestën në mbështetje të krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Protesta është paralajmëruar për 27 shtator, nga ora 15:00, ndërsa thirrja për mobilizim është bërë nga tifogrupi “Plisat”.
Përmes një njoftimi, “Plisat” kanë bërë thirrje për bashkim të tifogrupeve, duke theksuar se për këtë protestë do të lihen anash rivalitetet dhe dallimet mes tyre.
“Sa herë kohët na kanë nda, na bashkuan hallet e mëdha”, thuhet në njoftimin e tyre.
“Sot, të gjitha tifogrupe kemi marrë një vendim: kur është puna te kombi, çdo rivalitet dhe çdo dallim i lëmë anash”, thuhet më tej.
Sipas “Plisave”, në protestën e së dielës nuk do të ketë ndarje mes tifogrupeve, pasi të gjithë do të bashkohen rreth mbështetjes për UÇK-në dhe ish-krerët e saj.
“Sot nuk ka ndarje, nuk ka rivalitet. Na bashkon gjaku, nderi, besa dhe dashnia për tokën tonë. Na bashkon historia dhe ideali për të cilin u sakrifikua”, thuhet në njoftim.
Në fund, tifogrupi ka përcjellë mesazhin “BASHKË PËR UÇK”, duke u bërë thirrje tifozëve që të mblidhen të dielën në Prishtinë.
“Asgjë nuk është më e shenjtë se kombi, asgjë nuk është më e madhe se ideali”, thuhet në mesazhin e “Plisave”.
Thirrja vjen pas protestave të njëpasnjëshme që janë mbajtur në Prishtinë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Protestat janë zhvilluar çdo natë në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa mobilizimi pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Protestat e përnatshme pritet të kulmojnë më 1 tetor me një tubim të madh në Prishtinë.









