Deputeti nga radhët e komunitetit egjiptian, Veton Berisha, e ka përkrahur “Marshin për Liri”, që do të mbahet më 12 shtator, në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte.

Berisha i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, posaçërisht atyre të komunitetit egjiptian, që t’i bashkohen Marshit.

“Ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim, e në veçanti Komunitetin Egjiptian, që t’i bashkohen këtij marshi dhe të shprehim së bashku mbështetjen tonë. Bashkë për Liri, Kosova i pret çlirimtarët!”, shkroi Berisha në Facebook.

“Marshi për Liri” do të mbahet katër ditë para se Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale të shpall vendimin për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.