Prokuroria Speciale e Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë urdhërarrest për ish-kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç, pasi që dyshohet për rastin e barrikadave në vitin 2022, në Veri. Ndërsa, krerët aktualë të Listës Serbe janë intervistuar nga Prokuroria për këtë çështje.
Rakiç, i cili aktualisht është deputet i Partisë Progresive Serbe në Serbi, është ftuar për intervistim nga Prokuroria tri herë. Herën e parë nuk ka shkuar nën arsyetimin për “shkaqe shëndetësore”, ndërsa për dy herët e tjera nuk ka dhënë arsyetim. Përveç tij, urdhërarrest nga Prokuroria është kërkuar edhe për 11 persona të tjerë.
“Me qëllim të sigurimit të prezencës së G.R., Prokuroria Speciale e Kosovës ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për lëshimin e urdhërarrestit ndaj tij”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, për mediumin Koha.
Për rastin e barrikadave në Veri, Prokuroria ka njoftuar se janë intervistuar Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, dhe nënkryetarët: Igor Simiç dhe Slavko Simiç.









