Arsyeja se pse Departamenti Amerikan i Shtetit pezullojë vizat për një afat të pacaktuar për 75 vende të botës, ndër të cilat edhe Kosova, është për të parandaluar hyrjen e shtetasve të huaj që do të kërkonin asistencë sociale dhe përfitime publike, ka treguar Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.

Ky hap, siç thonë autoritetet amerikane për mediat atje, është ndërmarrë për “frenimin e mëtejmë të emigracionit që mund të shkaktojë barrë” për vendin me ekonominë më të zhvilluar botërore.

Vendimi për pezullimin e vizave, vjen disa ditë pasi që Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, publikoi një listë që tregonte proporcionin e familjeve emigrante që marrin asistencë sociale ose përfitime politike në SHBA.

Në këtë listë, familjet nga Kosova qëndronin në kuotën e 46 për qind.

Pezullimi i vizave do të fillojë më 21 janar. Ky vendim vlen për vizat e emigrantëve, si ato për punësim, ose për t’iu bashkuar familjes dhe jo për vizat turistike apo studentore.