Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje për balotazhin e 9 nëntorit në Komunën e Dragashit, ku do të përballet me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Lajmi është bërë i ditur nga kandidati i PDK-së për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani.
Përveç VV-së, Shabani ka njoftuar se kanë bërë marrëveshje edhe me koalicionin VAKAT dhe me kandidatin e pavarur Nedzmidin Sejdilar.
“Para arritjes së marrëveshjes është bërë harmonizimi i programeve dhe parimeve qeverisëse, të cilat do të shërbejnë si bazë për një qeverisje të përgjegjshme, gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të qytetarëve të komunës sonë”, ka shkruar Shabani në Facebook.
Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Dragash, i pari doli Bexhet Xheladini i LDK-së me 43.98 për qind të votave, i ndjekur nga Shabani i PDK-së me 28.38 për qind të votave. I treti u rendit Filiz Mustafa i VV-së me 16.82 për qind të votave.









