Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, pasi që ka votuar në qendrën e votimit të tij në Zajaz të Kërçovës, ka thënë se ka votuar për një të ardhme ku çdo qytetar ndihet i barabartë në vendin e vet.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka thënë se ka votuar me bindjen dhe përkushtimin e një njeriu “që beson thellë në rrugën e paqes, barazisë dhe dinjitetit”.

“Votova për një ditë me dinjitet, për një të ardhme ku çdo qytetar ndjehet i barabartë dhe i respektuar në vendin e vet”, pohoi ai.

Kreu i BDI-së ka thënë se “vota është përgjegjësi, është besim dhe është detyrim ndaj brezave që vijnë”.

Ndryshe, në Maqedoninë e Veriut sot është duke u mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

Në këtë raund, kanë të drejtë vote 1 milion e 13 mijë e 357 votues nga mbi 1 milion e 800 mijë sa kanë qenë të regjistruar në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në RMV.

Të shtunën kanë votuar personat me nevoja të veçanta.

Ky proces është duke u monitoruar nga 1 mijë e 569 vëzhgues, prej të cilëve 904 janë vendas dhe 651 ndërkombëtarë.

Vëmendja më e madhe tek kampi shqiptar është në komunën e Tetovës, ku përballen Bilall Kasami i VLEN-it me Bajram Rexhepin e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI).

Gjithashtu, vëmendje të madhe ka Komuna e Kërçovës dhe ajo e Bërvenicës, ku kandidatët shqiptarë përballen me ata maqedonas.

Në Kërçovë përballet Fatmir Dehari i AKI-së me Aleksandër Jovanovskin e VMRO-DPMNE-së, ndërsa në Bërvenicë Haqim Ramadani i VLEN-it me Jovica Ilievskin e VMRO-DPMNE-së.