Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar mbështetjen e Partisë Demokratike të Kosovës për balotazhin e 9 nëntorit kundër Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan.
Lajmi është bërë i ditur nga kandidati i LDK-së për Kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, i cili do të përballet në balotazh me Alban Hysenin e VV-së.
“Sot nënshkruam një marrëveshje politike për bashkëpunim dhe qeverisje të përgjegjshme në Gjilan, që reflekton vullnetin e qytetarëve për unitet, profesionalizëm dhe mirëqenie”, shkroi Ismajli në Facebook.
Ky, thotë ai, është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një qeverisjeje “që bashkon, që punon me transparencë dhe që vendos interesin publik mbi gjithçka”. “Qeverisja që duam është ajo që i shërben qytetarëve pa dallime, me vizion dhe përgjegjësi”.
Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor, i pari doli Hyseni i VV-së me 49.80 për qind të votave, i ndjekur nga Ismajli i LDK-së me 34.29 për qind të votave. I treti u rendit Riad Rashiti i PDK-së me 12.18 për qind të votave.









