Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të përditësojë të dhënat e listës së votuesve në ato komuna ku do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se në balotazhin e 9 nëntorit do të kenë të drejtë vote edhe ata që i kanë mbushur 18 vjet pas 12 tetorit, ku u mbajt raundi i parë i zgjedhjeve lokale.
“Në rrethin e dytë të zgjedhjeve, do të përdoret e njëjta listë votuese e cila është përdorur në raundin e parë, me disa përditësime të kufizuara. Konkretisht, kjo listë do të plotësohet me personat që nga data 13 tetor deri më 9 nëntor arrijnë moshën e votimit”, deklaroi Elezi.
Ai njoftoi gjithashtu se nga lista e votuesve do të largohen ata persona që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës në këtë periudhë kohore, pra pas 12 tetorit. “Përtej këtyre ndryshimeve, asnjë përditësim tjetër nuk do të pasqyrohet në këtë listë”, shtoi.
Në listën e votuesve, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, s’do të përfshihen as lëvizjet e brendshme të qytetarëve nga një komunë në tjetrën.
“Kjo do të thotë se qytetarët që kanë ndërruar vendbanimin nga një komunë në një tjetër pas raundit të parë nuk do të mund të votojnë në komunën ku janë zhvendosur, por vetëm në atë ku kanë qenë të regjistruar në listën votuese të raundit të parë”.
“Pra, përditësimi i listës votuese do të reflektojë vetëm këto tri aspekte: përfshirjen e personave që mbushin 18 vjeç deri më 9 nëntor, largimin e personave të vdekur dhe atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës”, tha Elezi.
Sipas rezultateve të KQZ-së, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të zhvillohet në 18 komuna.









