Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi, ka njoftuar se i ka bërë ofertë zyrtare për bashkëpunim Kryetarit të degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Pejë, Ali Berisha, për balotazhin e 9 shkurtit, ku do të përballet me Gazmend Muhaxherin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në letrën që ka publikuar Kelmendi në Facebook, VV-ja – AAK-së i ka ofruar: Marrëveshje për prioritetizimin e projekteve për 4 vjet qeverisje; Kryesuesin e Kuvendit Komunal dhe gjashtë (6) Drejtori Komunale.

Letra që Taulant Kelmendi i ka dërguar Ali Berishës.

“Peja nuk mund të vazhdojë të qeveriset nga pazaret politike të ndërtuara mbi llogaritë e ngushta të pushtetit prandaj jemi transparent në këtë rrugëtim. Qyteti ynë meriton një qeverisje të përgjegjshme, me integritet dhe në shërbim të qytetarëve”, shkroi Kelmendi.

Ai theksoi se VV-ja “është e gatshme të marrë përgjegjësi për Pejën dhe të vendosë në qendër punën, drejtësinë dhe qytetarin”. “Koha e varësisë nga pazaret e fshehta me Gorazhdecin dhe Listën Serbe duhet të marrë fund”, potencoi Kelmendi ndër të tjera.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, Muhaxheri i LDK-së mori 46.25 për qind të votave, ndërsa Kelmendi i VV-së 27.78 për qind. I treti u rendit Berisha i AAK-së më 18.21 për qind të votave.