Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetar të Komunës së Gjakovës, Ardian Gola, i ka bërë ftesë publike Shefqet Shehut, Kryetarit të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjakovë, për koalicion për balotazhin e 9 shkurtit, ku do të përballet me Ardian Gjinin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Si kandidat për kryetar të Komunës së Gjakovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, e ndiej obligim, sa politik aq edhe qytetar, të ju drejtohem me një ftesë të hapur e të sinqertë për bashkëpunim”, thuhet fillimisht në letrën që Gola e ka bërë publike në Facebook.
Ai ka thënë se koha po dëshmon se qeverisja në Gjakovë “është shndërruar në sistem të ngurtë që për vite të tëra ndan privilegje në vend të mundësive, duke iu shërbyer interesave të ngushtë konjukturalë dhe duke e pamundësuar frymën e meritokracisë”.
“Si rrjedhojë, pushteti aktual ka humbur çdo lidhje me qytetarët e Gjakovës dhe, si i tillë, nuk buron më nga vullneti qytetar. Prandaj, kjo situatë nuk është më thjesht çështje interesash partiakë, por çështje interesash qytetarë”, theksohet tutje.
Gola ka pohuar se konsiderojnë se ndryshimi i qeverisjes në Gjakovë është imperativ qytetar e politik. “Gjakova ka nevojë për rotacion, jo për riciklim. Për frymë të re, jo për marrëveshje të vjetra”.
“Ajo ka nevojë të çlirohet nga ngufatja partiake me struktura të rrënjosura prej vitesh në administratë dhe ekonomi lokale, të cilat e kanë shndërruar qeverisjen komunale në një rreth të mbyllur klientelist, duke i lodhur qytetarët dhe duke penguar zhvillimin”.
Ftesa e tij për degën e LDK-së, ai theksoi se është për një “bashkëpunim të sinqertë dhe parimor, që buron nga interesi i të gjithë qytetarëve të komunës e jo nga hakmarrjet politike ose ndarjet partiake”.
“Ne nuk kërkojmë marrëveshje për pushtet, por bashkim për drejtësi, barazi dhe zhvillim. Në vend të vazhdimit të status quo-së që i mban qytetarët peng të pak duarve, bashkë me LDK-në mund ta kthejmë Gjakovën në shembull të një rotacioni demokratik për tërë Kosovën”.
Ndryshimin, sipas tij, “shumë të nevojshëm në Gjakovë mund ta arrijmë bashkërisht, përmes një koalicioni që reflekton interesat jetikë të Gjakovës e jo agjendat qendrore të formacioneve tona politike”.
Përndryshe, Gola konsideron se “kurthohemi brenda paradokseve politike të së tashmes duke e vështirësuar ndërtimin e së ardhmes për qytetarët tanë”.
“Andaj, le ta bëjmë këtë hap si dy forca që ndahen në shumëçka, por bashkohen në një gjë thelbësore: kthimin e Gjakovës në duart e qytetarëve të saj”.
Me shpresën që do t’i bashkëngjitet ndryshimit, Gola ka ftuar Shehun që bashkërisht me ekipet e tyre të takohen dhe ta konkretizojnë marrëveshjen.
Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Gjakovë, më 12 tetor, Gjini i AAK-së mori 47.53 për qind, ndërsa Gola i VV-së 31.89 për qind. I treti u rendit Shehu i LDK-së me 7.94 për qind.









