Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar të hënën se nga sot, 27 tetor e deri më 8 nëntor 2025, është e hapur periudha për votimin me postë në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave që do të mbahet më 9 nëntor.
Ky proces u mundëson 29 mijë e 712 shtetasve të Kosovës, të regjistruar me sukses për votim jashtë vendit, që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në kohë.
Votimi zhvillohet për komunat ku do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Në njoftim theksohet se KQZ ka nisur procesin e votimit jashtë vendit pa pritur certifikimin përfundimtar të rezultateve për të shmangur vonesat dhe për të garantuar që çdo qytetar i regjistruar të mund të votojë në kohë.









