Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta mbështesë kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës për Kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri në balotazhin e 9 nëntorit kundër kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci.

Lajmin për VOX Kosova e ka konfirmuar zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli. “Po, do ta mbështesim”, tha ai.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës do ta mbështesë Tahirin në balotazh.

Këto dy parti kanë nënshkruar një marrëveshje të dielën. Marrëveshja është nënshkruar nga Tahiri i PDK-së dhe kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Mitrovicës në zgjedhjet e 12 tetorit, Gëzim Plakolli.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, Peci i VV-së doli i pari me 47.94 për qind te votave, i ndjekur nga Tahiri i PDK-së me 47.57 për qind. I treti u rendit Plakolli i LDK-së me 3.71 për qind, ndërsa i katërti Qazim Nimani i AAK-së me 0.77 për qind.