Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta mbështetsë Lëvizjen Vetëvendosje në Viti, e cila përballet në balotazhin e 9 nëntorit kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur kandidati i AAK-së për Kryetar të Vitisë në zgjedhjet e 12 tetorit, Labinot Bislimi, i cili ka publikuar një fotografi me kandidatin e VV-së për Kryetar të Vitisë, Arsim Ademi, i cili do përballet në balotazh me Sokol Halitin e LDK-së.

“Pas konsultimeve disa ditësh ndërmjet dy degëve, Pasi u përafruan vlerat, idetë dhe programet,  Pasi e morrem vendimin brenda strukturave tona, Sot në mëngjes nënshkruam marrëveshjen e koalicionit në nivel të degëve dhe i zgjatem dorën njëri-tjetrit me kandidatin për kryetar, z. Arsim Ademi”, shkroi Bislimi në Facebook.

Ky koalicion, ai tha se është rrjedhojë “e natyrshme e situatës dhe e vet pozicionimit tonë karshi të keqes së komunës së Vitisë që me emër thërrasim Sokol Haliti”.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Viti, më 12 tetor, Haliti i LDK-së doli i pari me 38.01 për qind, i ndjekur nga Ademi i VV-së me 33.46 për qind. I treti u rendit Bekim Azizi i PDK-së me 25.64 për qind, ndërsa i katërti Bislimi i PDK-së me 2.89 për qind.